ATO-ja dhe revizioni, të parat në punën e Kuvendit

Deri pas referendumit, Kuvendi nuk do të caktojë seanca për Ligjet e mbetura reformuese të cilat Qeveria i ka marrë përsipër t’i miratojë. Kuvendi tashmë i është kthyer punës me seancat e Komisioneve kurse të mërkurën, edhe me seancë plenare. Në rend dite për Komsionin për Zgjedhje dhe Emërime të hënën është emërimi i drejtorit të Agjencisë Teknike Operative dhe numrit një të Entit Shtetëror të Revizionit. Nga Kuvendi refuzojnë të japin të dhëna zyrtare për kandidatët e paraqitur në konkurse.

Marketing

Jozyrtarisht flitet se ndër kandidatët më potencial i cili përmbush kriteret e kërkuara për postin e drejtorit të Agjencisë Teknike Operative është ish ministri i Brendshëm dhe ish drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Siljan Avramovski. Në biografinë e tij qëndron se Avramovski gjithë karierën e tij e ka kaluar në Ministrinë e Brendshme duke prekur poste të ndryshme të larta. Si përfaqësues i dikasterit të Brendshëm ai ka qenë kryetar i grupit punues për zbatimin e reformave në sistemin për ndjekjen e komunikimeve, i cili është përbërë nga 29 anëtarë.

Megjithatë procesi për zgjedhjen e drejtorit të ATO-së ka shkelur disa afate kohore. Pas hapjes së konkursit, u tha që numri një i Agjencisë do të zgjidhej e shumta deri të fund të muajit qershor kurse në afat prej 30 ditësh nga emërimi i drejtorit, sipas ligjit për ATO-në, duhet të sillet akt për organizimin e brendshëm dhe sistemimin e të punësuarve. Konkursi publik për të punësuarit do të fillojë shtatë ditë pas përzgjedhjes së drejtorit. E gjithë procedura e angazhimit të personelit ishte paraparë që të përfundojë deri në shtator. Ndërkohë, do të bëhet edhe adaptimi fizik dhe teknik i objektit për ATO-në, me infrastrukturë të re dhe ridizajnim të sistemit LEMF. Nga Ministria e Brendshme javë më parë u shprehën të bindur se përgatitjet do të përfundojnë në kohë dhe se ATO-ja do të fillojë me punë më 1 Nëntor, ashtu siç e parashikon ligji.

Ndërkohë Enti Shtetëror i Revizionit tashmë 8 muaj është pa njeriun e parë të tij. Shumica në Kuvend më herët kishte kritikuar se vonesa për vendosjen e kësaj pike në rend dite, kishte qenë veprim i qëllimshëm nga opozita.