Udhëheqësi i Kishës Katolike, Papa Françesku ka pranuar dorëheqjen e kryepeshkopit të Adelaides, Philip Wilson, për të cilin u zbulua se ka fshehur abuzimin seksual të priftit nga rajoni Humter të qytetit Sydney në Australi, Jim Fletcher, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të publikuar në faqen zyrtare të lajmeve të Vatikanit, Vatican News, Papa ka pranuar dorëheqjen e kryepeshkopit të Adelaides, Wilson, i cili u zbulua se ka fshehur abuzimin seksual të fëmijëve në Australi.

Kryeministri i Australisë, Malcom Turnbull dy javë më parë i bëri thirrje Papës që ta shkarkojë Wilsonin nga detyra.

Kryepeshkopi i qytetit Adelaide, Philip Wilson, u shpall fajtor nga Gjykata në Newcastle për fshehjen e akuzave për abuzim të fëmijëve kundër një prifti tjetër Jim Fletcher në vitet e 70-ta.

Gjyqtari Robert Stone e ka konstatuar si të pamjaftueshme mbrojtjen e Wilsonit i cili nuk kishte pranuar pretendimet ndaj tij, ndërkaq ka refuzuar edhe kërkesat e avokatëve për aktakuzat ndaj klientit të tyre i cili ishte diagnostifikuar me sëmundjen e Alzheimer-it.

Në gusht gjykatësi Stone do të marrë vendim nëse është e përshtatshme që Wilson të mbahet në arrest shtëpiak.

Prifti Fletcher, i cili u dënua në vitin 2004 për abuzim të fëmijëve në 9 raste të ndryshme vdiq në burg në vitin 2006.

Peter Creigh, një nga viktimat e Fletcher-it, i ka thënë gjykatës se ai e përmendi çështjen te kryepeshkopi Wilson 5 vjet pas abuzimit, kur ai ishte 15 vjeç.