Autostrada Kërçovë – Ohër e gjatë 57 kilometra do të kushtojë 598 milionë euro. Qeveria sot e miratoi aneksin e tretë të marrëveshjes me kompaninë kineze Sinohidro me çka është konstatuar nevoja për 178 milionë euro shtesë për këtë rrugë.

Pas një viti negociatash për shkak të gabimeve në autostradë, janë konstatuar punë ndërtimore shtesë në terren për çka nevojiten edhe fonde financiare shtesë. Nga Qeveria thonë se megjithatë me këtë aneks ia kanë dalë të kursejnë 95 milionë euro pasi nëse ndërtimi kishte vazhduar me çmimet e vjetra do nevojiteshin 282 milionë euro.

Tani autostrada pas hyrjes në fuqi të këtij aneksi do të fillojë të ndërtohet me intensitetin e duhur, dhe kjo do të thotë se patjetër duhet të përfundojë deri ka mesi i vitit 2021”. – tha Koço Angjushev, zëvendëskryeministër.

Me aneksin themelor Sinohidro do duhet të ndërtojë 9 rrugë lidhëse që paraprakisht nuk janë parashikuar si dhe rrugë alternative nga Preseka deri në Arbinovë, punë shtesë në tunelin Preseka si dhe të gjitha lëshimet dhe rregullimin e vendeve të rrëshqitjes së tokës përgjatë gjithë autostradës.

Pas hyrjes në fuqi të aneksit, realizuesi në afat prej 28 ditëve duhet të përgatit program të detajuar për punë sipas kushteve reale në terren në pajtim me pozitat e kontraktuara.
U gjetëm në situatë të zgjedhim ose ta ndërtojmë autostradën Kërçovë- Ohër, që do të thotë evitimin e të gjitha lëshimeve të mëparshme e kjo kushton mjete shtesë, ose shteti do duhet patjetër ta kthejë tërë kredinë prej mbi 400 euro dhe autostrada të mbetet e pa ndërtuar”. – Goran Sugarevski, ministër i Transportit.

Paratë shtesë pasi aneksi të miratohet në Kuvend, do të sigurohen me kredi nga banka kineze Eksim. Në aneksin e dytë të marrëveshjes në shtator të këtij viti, Qeveria mundësoi të shfrytëzohen 205 milionë euro kredi nga Banka Kineze Eksim, gjithashtu për debllokimin e punëve ndërtimore.

Ndërtimi i autostradës filloi në shkurt të vitit 2014 dhe sipas marrëveshjes së lidhur me Qeverinë e kaluar, duhej të kushtojë 411 milionë euro. Me intensifikimin e ndërtimit të kësaj autostrade, nga Qeveria presin që për 20% të përshpejtohen punët ndërtimore në shtet.

Pikërisht ndërtimi i kësaj autostrade është shkak kryesorë për realizimin e dobët të investimeve kapitale këtë vit. Me rebalancin u shkurtuan thuajse 100 milionë euro nga këto investime. Qeveria është optimiste se deri në mbarim të vitit realizimi i investimeve kapitale do të tejkalojë 80%.