Avancimet në ushtri, Gjykata administrative vendos në favor të Ivanovit

Gjykata administrative ka vendosur në favor të ish presidentit Gjorge Ivanov i cili ka ngritur padi kundër Komisionit për Antikorrupsion që ka ngritur procedurë kundërvajtëse ndaj tij për avancime në Armatë.
Në arsyetimin e Gjykatës Administrative thuhet se Ivanovit i është pamundësuar t’i paraqesë argumentet e tij si mbrojtje para Komisionit Anti-korrupsion dhe gjithashtu nuk i është dorëzuar vendimi, por ai vendim është publikuar në web-faqen e komisionit.

Marketing

“Gjykata vendosi që organi ndaj të cilit drejtohet padia nuk ka respektuar nenin 33 alinea 5 të Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave dhe nuk e ka thirrur paditësin në ditën e mbajtjes së seancës, me çka është shkelur parimi i barazisë në procedurë dhe i është shkurtuar e drejta t’i japë argumentet me fakte dhe dëshmi”, thuhet në kumtesën e Gjykatës Administrative.

Në arsyetimin e gjykatës gjithashtu thuhet se Komisioni Anti-korrupsion nuk ka dorëzuar vendimin dhe se vetëm e ka publikuar në web-faqe. Kujtojmë se në mars të këtij viti Komisioni për parandalimin e korrupsionit, solli vendim që të kërkojë dokumentacion nga kabineti i presidentit, Gjorge Ivanov, për avancimet në armatë pasi sipas tyre avancimet janë kryer pasi janë shpallur zgjedhjet presidenciale.

Marketing