Avokati i Popullit: Ligji s’i mbron mjaftueshëm viktimat nga krimi kibernetik

Avokati i Popullit në Maqedoninë e Veriut, Naser Ziberi, thotë se asnjë viktimë e grupit “Dhoma publike” në platformën Telegram, ku ishin shpërndarë më shumë se 10 mijë fotografi dhe video me përmbajtje eksplicite të vajzave të mitura dhe grave, nuk ka kërkuar ndihmë nga dikasteri që përfaqëson. Në një inervistë për Radion Evropa e Lirë, Ziberi thekson se kryerësit e kësaj vepre duhet të vihen para aktit të përgjegjësisë dhe para sanksioneve, e nëse sanksionet mungojnë, ato duhet të krijohen.

Marketing

Radio Evropa e Lirë: Zoti Ziberi, ju këtë javë keni marrë detyrën e Avokatit të Popullit dhe me të hyrë në zyra, thatë se do të ndryshoni qasjen e këtij institucioni në funksion të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Çka konkretisht nënkuptoni me këtë?

Naser Ziberi: Me këtë nënkuptoj, forcimin e rolit të këtij organi shtetëror, i cili mendoj se ka mjaftueshëm kompetenca kushtetuese dhe ligjore, dhe duhet vetëm vullnet i mirë që këto kompetenca të vihen në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të qytetareve dhe të kihet një gatishmëri të Avokatit të Popullit që të merret seriozisht me të gjitha parashtresat që qytetarët do t’ia drejtojnë. Dhe, që të mos ketë pardon në ndërmarrjen e veprimeve pa marrë parasysh se kush është i potencuar si shkelës i lirive dhe të drejtave të qytetarit. Dhe, jo vetëm kaq, por edhe mbrojtjen nga diskriminimi dhe përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i komuniteteve në vend.

Radio Evropa e Lirë: Si mendoni ta arrini këtë për çka thoni se do të angazhoheni ndërkohë që opozita, edhe pse nuk e konteston përgatitjen profesionale, por ju akuzon për lidhshmëri me subjektin politik në pushtet, BDI, pasi nga kjo parti ishit nominuar si kandidat për kryeministër? Më konkretisht, si do t’i mbroni qytetarët në rastin hipotetik kur ata do të ankohen për shkeljen e të drejtave nga funksionarë të kësaj partie?

Naser Ziberi: Avokati Popullit është organ i pavarur, i mëvetësishëm në ushtrimin e detyrës së tij, që do të thotë pozita juridike kushtetuese e Avokatit të Popullit nuk varet nga asnjë organ apo institucion tjetër shtetëror. Kjo do të thotë se duhet vetëm gatishmëri, vullnet dhe kompetencë për t’i mbrojtur pozicionet që ia jep si të drejtë Kushtetuta dhe ligji.

Ndërsa, vërejtjet e opozitës janë vetëm iluzione – në variantin më të mirë do të kisha thënë vetëm dyshime dhe në variantin më të keq do të kisha thënë janë vetëm insinuata – sepse duhet kohë që të shihet angazhimi i im që të mund të jepen vlerësime dhe komente.

Unë edhe një herë theksoj, nuk jam as anëtar, as funksionar, as militant i asnjë subjekti, por unë jam profesionist, i cili në të kaluarën me paraqitjet e mia, kam dëshmuar se jam i paanshëm, se jam mbështetës kur një subjekt politik prodhon politika në interes të publikut dhe se jam kundërshtar kur vlerësoj se këto politika nuk janë në interes të publikut ose janë të dëmshme.

Ky pozicion imi neutral është garanci e mjaftueshme për të demantuar të gjithë ata të cilët hedhin sot gurë e dru në adresë të zgjedhjes sime Avokat i Popullit. Dua që koha t’i demantojë të gjitha këto teza dhe besoj se do t’i demantoj në qoftë se unë detyrën do ta kryej ashtu siç e parasheh Kushtetuta dhe ligji dhe unë premtoj se do ta bëj këtë.

Radio Evropa e Lirë: Së fundmi janë drejtuar kritika serioze ndaj dikasterit të Punëve të Brendshme për shkak të mosreagimit të duhur pas denoncimit të një vajze, e cila ishte pre e të ashtuquajturës “Dhoma publike” (Javna Soba) ku ishin shpërndarë më shumë se 10 mijë fotografi me përmbajtje eksplicite të vajzave të mitura dhe grave. Kanë ardhur ankesa deri te dikasteri juaj, dhe cili do të jetë veprimi i Avokatit të Popullit ndaj zyrtarëve të dikasterit të Policisë për mosveprim në këtë çështje pas denoncimit të njërës nga viktimat?

Të mërkurën qindra qytetarë protestuan në Shkup nën moton “Ti je viktimë”, “Nuk është faji yt” në mbështetje të viktimave të grupit “Dhoma publike”.

Naser Ziberi: Nga informacionet që kam unë, meqë bëhet fjalë për ditën e dytë të marrjes së detyrës, deri më tani nuk ka ndonjë parashtresë apo kërkesë tek Avokati i Popullit për të ndërmarrë veprime për të hulumtuar rastin dhe për të kërkuar përgjegjësi.

Nga ajo që unë e kam të njohur, këtu do të ketë angazhim të më tepër strukturave shtetërore, po edhe të Avokatit të Popullit. Një herë për hulumtimin e rastit (Dhomat publike) për mundësinë e sanksionimit të veprimeve, sanksionim që do të shkojë deri te nevoja për ndryshime ligjore të Kodit Penal dhe dhënies së rekomandimeve për mospërsëritjen e rastit, i cili seriozisht dëmton lirinë dhe të drejtat e qytetarëve.

Komunikimi elektronik, digjitalizimi, janë e drejtë e qytetarëve, por kjo e drejtë mund të shtrihet deri aty ku nuk rrezikohen dhe të drejtat e të tjerëve. Në çdo rast kur kjo ndodh, duhet të këtë përgjegjësi.

Radio Evropa e Lirë: A ka këtu hapësirë për të vepruar Avokati i Popullit?

Naser Ziberi: Po qe se ndonjë prej personaliteteve të prekura nga kjo ngjarje i drejtohet Avokatit të Popullit, në mënyrë adekuate do të reagojmë dhe do ta njoftojmë edhe opinionin publik.

Por, dua të paraqes këtu shikimin tim personal nga kjo ngjarje, e ajo është: se nuk ka kornizë të mjaftueshme juridike, rregullativë, dispozitë, që i rregullon këto çështje. Që këtej, jo rastësisht edhe Ministria e Drejtësisë paralajmëroi se ndoshta do të pasojë edhe ndryshimi i Kodit Penal, ku duhet të sanksionohet kjo çështje.

Radio Evropa e Lirë: Janë të mjaftueshëm mekanizmat juridikë për të mbrojtur të miturit nga abuzimi seksual në rrjetet sociale dhe cili është roli i Avokatit të Popullit në këtë drejtim, mund të iniciohen procedura edhe pa denoncim përmes “zërit të prekur”?

Naser Ziberi:Të miturit janë një kategori e posaçme që gëzojnë mbrojtje ligjore në vend, por edhe me konventa ndërkombëtare. Ne kemi këtu një një sektor të veçantë, i cili merret me ndjekjen e gjendjes në këtë lëmi, dhe nëse do të ketë indicie se ka shkelje të lirive dhe të drejtave të kësaj kategorie të qytetarëve, Avokati i Popullit do ta ngritë zërin. Këtu pra përfshihet edhe gjinia femërore, e cila në këtë rast është target i sulmeve dhe viktimë e veprimeve të këtilla.

Ne këtë dukuri detyrimisht duhet ta pengojmë. Avokati i Popullit do ta ngritë zërin, ndërsa institucionet duhet ta zbatojnë ligjin, dhe ligji duhet t’i vendosë para aktit të dhënies së përgjegjësisë dhe para sanksioneve. Sanksionet, nëse mungojnë, ato duhet të krijohen.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Ziberi, këtë vit duhet të bëhet regjistrimi dhe të mbahen zgjedhjet lokale. A prisni rritje të numrit të parashtresave për shkeljen e të drejtave të qytetarëve në lidhje me këto ngjarje?

Naser Ziberi: Pres që, qytetarët që eventualisht do të konsiderojnë se u janë shkelur të drejtat, t’i drejtohen Avokatit të Popullit. Ne do t’i ndjekim syhapur këto ngjarje dhe Avokati i Popullit ka përvojën e ndjekjes së zgjedhjeve, para së gjithash dhe në kohë reagon. Sa i takon regjistrimit, ai është proces që zgjat më së paku 15 ditë dhe qytetarët do të kenë kohë dhe hapësirë – po qe se konsiderojnë se të drejtat e tyre ligjore janë shkelur, Avokati i Popullit është adresa ku mund të drejtohen.

Marketing