Avokati i Popullit përkujton qytetarët për rëndësinë e të drejtës zgjedhore

Avokati i Popullit në vigjilje të zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjeve të parakohshme për kryetarë të komunave të Ohrit, Dibrës dhe Novosellës, i përkujton qytetarët për rëndësinë e të drejtës zgjedhore dhe mënyrën e realizimit dhe mbrojtjes së kësaj të drejte, njëherësh u bën apel institucioneve dhe të gjithë të tjerëve për obligimin dhe përgjegjësinë e krijimit të kushteve reale për mundësimin, respektimin dhe realizimin e së drejtës së votimit të qytetarëve, si dhe rregullave për zgjedhje korrekte dhe demokratike.

Marketing

“Secili ka të drejtë të shprehet për opsionin e tij pa pësuar kurrfarë pasojash. Qytetarët janë ata të cilët vendosin. Askush nuk guxon në emër të tyre, përmes formave të ndryshme të presioneve, shantazheve dhe kërcënimeve të vendosë. Qytetarët nuk guxojnë të heshtin, përkundrazi duhet të jenë aktiv, sepse me paraqitjen në kohë të çdo lloji parregullsie e mbrojnë të drejtën e tyre, ndërsa njëkohësisht kontribuojnë për demokracinë e procesit zgjedhor në tërësi”, porosit Avokati i Popullit.

Mu për këtë, i inkurajon të gjithë, menjëherë dhe pa hamendësime ta paraqesin çdo formë të presionit, shkeljes të të drejtave të tyre dhe të rregullave dhe i përkujton se është hapur linjë telefonike falas e Avokatit të Popullit 0800 54321, drejtpërdrejtë në zyrën në Shkup dhe në zyra rajonale nëpër Republikën e Maqedonisë.
Avokati i Popullit, apel të veçantë u bën të gjithëve që janë në pozitat udhëheqëse në institucionet dhe personave të tjerë në administratën publike, të mos guxojnë në ndonjë lloj mënyre të frikojnë dhe të bëjnë presione ndaj të punësuarve, dhe të sillen në mënyrë të përgjegjshme.
“Në të kundërt sjellja e tillë është e palejueshme dhe është me përgjegjësi penale. Në këtë drejtim, Avokati i Popullit i inkurajon të gjithë të punësuarit në administratë dhe gjithë personat e tjerë, pa hezitim dhe frikë njohuritë për veprimet e tilla t’i paraqesin te institucionet kompetente dhe te Avokati i popullit, i cili pa përjashtim do ta garantojë fshehtësinë e të dhënave”, thonë nga zyra e Avokatit të Popullit.

Kjo, siç thonë nga zyra e Avokatit të popullit, ka të bëjë edhe me të gjithë punëdhënësit e tjerë, të cilët, mes tjerash, në ditën e zgjedhjeve të punësuarve të tyre duhet t’u përcaktojnë orar pune i cili do t’u mundësojë realizim të pandërprerë të të drejtës së votës, pa përdorim të kërcënimeve dhe formave tjera të kushtëzimeve.

“Në vigjilje të fushatës, Avokati i Popullit i apelon të gjithë faktorët në procesin zgjedhor, madje edhe prindërit për nevojën e domosdoshme t’i mbrojnë fëmijët dhe të mos i involvojnë në fushatat politike dhe zgjedhore, me qëllim të respektimit të parimit të interesit më të mirë të fëmijës. Gjithashtu, edhe mediat, veçanërisht duhet të mbajnë llogari dhe të mos tregojnë incizime, videoklipe nga fushata dhe ngjashëm ku janë të përfshirë fëmijët, me qëllim që fëmijët të jenë të mbrojtur nga manipulimet politike dhe ideologjike”, porosisin nga zyra e Avokatit të Popullit.
Njëkohësisht, përkujtojnë se mediat kanë rol kyç në mbrojtjen e të drejtës së votimit.

“Prej këtu, me rëndësi të veçantë është mënyra në të cilën ato i transmetojnë informatat. Për atë nevojitet informim objektiv, i balancuar dhe i qëndrueshëm, dhe respektim ndaj kodit etik për informim. Nëse zgjedhjet e lira me votim të fshehtë janë shtylla e demokracisë, atëherë obligim i të gjithë faktorëve në shoqëri është të sigurojnë kushte reale për zgjedhje korrekte dhe të lira”, theksohet në kumtesën e Avokatit të Popullit.