Azeski –Rukiqi: Të përfundojë sa më të shpejtë autostrada Shkup-Prishtinë

Autoritetet e Kosovës apelojnë përshpejtimin e punimeve për ndërtimin e autostradës Shkup- Prishtinë. Ndërsa pala kosovare është duke përfunduar autostradën, Maqedonia ende nuk ka filluar punimet për ndërtimin e autostradës deri në Bllacë.

Krerët e Odave Ekonomike të Kosovës dhe Maqedonisë gjatë inspektimit të punimeve në Kaçanik nënvizuan nevojën e zhvillimit të punimeve me ritëm të përshpejtuar në mënyrë që të nxitet bashkëpunimi tregtar.

Të jemi korrektë Qeveria e Kosovës ka kryer një punë të mirë sa i përket infrastrukturës, shohim qe shumë shpejt po progreson autostrada drejt Shkupit dhe besojmë se deri më fund të vitit do të përfundojë pjesa jonë.

Kjo realisht hap mundësinë dhe horizonte të reja të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Që të jemi pjesë e Korridoreve të rëndësishme duhet që në dy anët të kryhet puna, prandaj kemi edhe një kërkesë për Qeverinë e Maqedonisë që sa më shpejtë të kryejë punën e vet”- u shpreh Berat Rukiqi, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Branko Azeski nga Oda Ekonomike e Maqedonisë u zotua se do të negocioj me Qeverinë e vendit që të përshpejtojë punët për përfundimin sa më të shpejtë të kësaj autostrade.

Si ekonomi nuk mund të mbijetojmë me 70% te tregut të BPV që mbulohet me shërbimet, nuk mund të mbijetojmë si ekonomi të vogla që i shërbejnë vetëm vetes por duhet të dalim në tregje më të mëdha. Dhe mund të ju premtoj që do të thërrasë Qeverinë time që të përshpejtohen afatet e pjesës që lidh me Shkupin me Prishtinën që është qenësore për bizneset dhe qytetarët”- deklaroi Branko Azeski,Kryetar I Odës Ekonomike së Maqedonisë.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë thanë se shkëmbimi tregtarë ndërmjet dy vendeve aktualisht është 300 milion euro ndërkaq me ndërtimin e kësaj autostrade ky numër pritet që të dyfishohet.

evn