AZGJ-ja shënoi Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkthimit, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës sot zhvilloi një aktivitet të veçantë kushtuar kësaj date. Kjo ngjarje kishte të bëjë me promovimin e dy librave, përkatësisht “Shkrime rreth përkthimit” të Xhevat Lloshit dhe “Bazat e përkthimit dhe të interpretimit” të Ismail Hamitit.

Marketing

Fjalë rasti për librin e Xhevat Lloshit, të cilin e botoi AZGJ-ja, mbajti profesoresha Ajtene Hajdari Qamili e cila foli për përmbajtjen dhe vlerat e veçanta të tij. Po ashtu ajo foli edhe për librin e Ismail Hamitit duke u përqëndruar në strukturën dhe rëndësinë e këtij libri që trajton çështjen e përkthimit dhe të interpretimit.

Në vazhdim, për librin e Xhevat Lloshi foli edhe referuesi Naim Berisha nga Instituti Albanologjik i Prishtinës i cili e vuri në spikamë personalitetin e gjuhëtarit Xhevat Lloshi, dhe njëkohësisht duke i theksuar edhe disa aspekte që e karakterizojnë librin e tij.

Fjalë rasti pati edhe Hidajete Azizi nga ITSHKSH-ja e cila vuri në dukje aspektet e rëndësishme të dy librave, përkatësisht atë të Xhevat Lloshit dhe të Ismail Hamitit.
Gjithashtu në këtë promovim foli edhe referuesi Berton Sulejmani, dekan i Fakultetit të Filologjisë në UT, i cili theksoi vlerat shkencore të librit “Shkrime rreth përkthimit” të Xh. Lloshit.

Në fund, nëpërmjet lidhjes online, në këtë ngjarje u përfshi edhe Xhevat Lloshi i cili e falënderoi Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës për botimin e librit të tij, si dhe për organizimin e këtij promovimi. Në mes të tjerash ai theksoi se librin e tij ia besoi pikërisht AZGJ-së për botim për arsye të respektit dhe solidaritetit që ka ndaj këtij institucioni që po bën një punë jashtëzakonisht serioze për gjuhën shqipe.
Të pranishmëve iu drejtua edhe Ismail Hamiti i cili i falënderoi të gjithë ata që dhanë ndihmesë në botimin e librit të tij, veçanërisht AZGJ-në e cila bëri promovimin e tij.

Marketing