Bajrami: Së shpejti punësime të reja në shtëpinë e shëndetit në Kërçovë

Njëri ndër problemet me të cilat është ballafaquar Qendra mjekësore e Kërçovës është mungesa e hapësirave dhe gjendja e mjerueshme në të cilat veprojnë repartet shëndetësori në Kërçovë.

Marketing

Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Kërçovë Dr Xhabir Bajrami potencon se funksionimin e këtij institucioni e kanë penguar edhe borxhet e trashëguara nga e kaluara, prandaj në listën e prioriteteve të këtij viti është vendosur rritja e buxhetit dhe punësimi i kuadrove të reja.

“Kemi deficite serioze në kuadër mjekësor, nën kuadër të shkollave të mesme e të larta profesionale. kemi bërë një plan projekt që të punësojmë kuadro të tillë deri në maj-qershor që të funksionojmë pa problem. Duhen 4-5 mjekë motra medicinale dhe kuadër tjetër profesional” – tha Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Kërçovë, Xhabir Bajrami.

Shqiptarët dhe nacionalitetet e tjera në të kaluarën kanë qenë shumë pak të përfaqësuar, prandaj në punësimet e reja do të merret parasysh edhe kriteri i përfaqësimit adekuat, nënvizon Bajrami.

“Prioritet në punësimet e reja do të jetë edhe struktura nacionale dhe normalisht do ti jap prioritet punësimeve të asaj etnie që nuk janë të përfaqësuara në mënyrë adekuate në strukturat e institucionit që unë drejtoj” – u shpreh Bajrami.

Sipas Bajramit, Shtëpia e shëndetit në Kërçovë ballafaqohet edhe me gjendjen e mjerueshme të parkut vozitës, sepse automjetet e ndihmës së shpejtë janë tejet të amortizuara dhe si të tilla nuk mund të jenë në nivelin e duhur të efikasitetit që kërkohet në rastet urgjente të intervenimit.

Marketing