Bakiu: Mickovski të distancohet nga gruevizmi

Analistët e vendit shkarkimet e Sasho Mijallkovit, Nikolla Todorovit, Mitko Jançevit dhe Kostadin Bogatinovit nga VMRO-DPMNE.

Marketing

Analistët e vendit shkarkimet e Sasho Mijallkovit, Nikolla Todorovit, Mitko Jançevit dhe Kostadin Bogatinovit nga VMRO-DPMNE i shohin si pastrim të partisë nga e kaluara. Analisti politik, Qashif Bakiu, thotë se me largimin e këtyre figurave, Mickovski dëshiron që të distancohet nga politikat e Gruevskit.

“Në këtë mënyrë mendoj se VMRO-DPMNE kërkon të konsolidohet tamam si një parti opozitare, me çfarë tek qytetarët tenton që të ngrejë një frymë të re, duke u ndarë nga periudha dhjetëvjeçare e pushtetit të Nikolla Gruevskit dhe Mijallkovit, kur e dimë se personazhe si Mijallkov dhe si Nikolla Todorov paraqitnin atë timonin e politikave qeverisëse nga e kaluara.

Mendoj se në këtë mënyrë Mickovski dhe grupi i tij tentojnë që të hedhin një barrë mjaft të rëndë nga e kaluara, e cila detyrimisht do të ketë edhe çekun e vet”,- tha analisti politik, Qashif Bakiu.

Denko Malevski dridhjet brenda partisë opozitare maqedonase i përshkruan si përshtatje ndaj politikave eurointegruese nëpër të cilat po kalon Maqedonia.

“Do të ketë ndarje të një krahu më të vogël radikal, i cili do të mbajë mënyrat e vjetra të të menduarit dhe pjesës tjetër që do të jetë më e matur, nga e cila mund të pritet më shumë bashkëpunim në rrugën drejt integrimit euroatlantik. Në rastin konkret këtu kemi edhe fate personale që kanë të bëjnë me gjykime, keqpërdorime të pushtetit në të kaluarën. Në përgjithësi të gjitha partitë politike do të nisin t’i përshtaten faktit se Maqedonia o afrohet integrimeve”,- tha analisti politik, Denko Malevski.

Sipas analistëve, çlirimi nga veprimet antiligjore të funksionarëve të VMRO-së do t’i marrë kohë partisë, ndërkaq kjo do të ketë edhe çmimin e vet sikurse me ndikimet e figurave të larguara në deputetë të caktuar, por edhe në rrafshet më të ulëta partiake ku ndikimi është edhe më i madh.

Marketing