Bankierët presin të rritin fitimet

Një vit më i mirë në raport me vitin paraprak. Kështu bankierët në Maqedoni e vlerësojnë vitin 2019, ndërsa parashikimet dhe pritjet i mbështesin tek rrugëtimi me sukses i shtetit në integrimet euroatlantike, te fillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE, si dhe mbajtja e stabilitetit politik si bazë për realizimin e reformave që do të mbështesin rritjen ekonomike.

Marketing

Sipas analizës së revistës Kapital, priten investime më të mëdha të sektorit privat që do të mbështeten edhe investimet e mëdha kapitale si kusht kryesor për rritjen ekonomike në Maqedoni. Vlerësohet se sivjet, kreditimi do të rritet me 8 deri 9 për qind më shumë se vitin e kaluar. Njëherazi, vlerësohet se kreditimi i biznesit vitet e fundit ndërlidhet drejtpërdrejtë me stabilitetin politik dhe institucional, që paraqet edhe pikënisje kryesore gjatë planifikimit të aktivitete investuese të firmave.

Nga Tutunska Banka thonë se për komunitetin e biznesit dhe për sektorin bankar, një rëndësi të madhe ka ambienti stabil dhe i parashikueshëm i punës, e që varet nga stabiliteti politik që pritet edhe më tej të përforcohet.

“Stabilizimi i situatës politike së bashku me investimet e filluara dhe të përforcuara të sektorit publik, presim të mbështesin aktivitetet investuese edhe tek sektori privat, që në mënyrë të drejtpërdrejtë do të përfshihen në realizimin e investimeve apo do të shfrytëzojë benefitet e projekteve infrastrukturore. Gjithashtu, edhe projektet investuese në të cilat punon banka jonë, të e cilat presim të realizohen në të ardhmen, na shtojnë optimizmin se këtë vit do të shënojmë lëvizje të konsiderueshme pozitive”, thotë drejtori i Tutunska Banka, Antonio Argir.

Sipas tij, edhe këtë vit ngjashëm me vitin e kaluar, pritet rritje e kreditimit të popullatës, ofertë e prodhimeve me kamata konkurruese, si dhe zhvillim i prodhimeve të reja kreditore në bazë të kërkesave dhe nevojave të konsumatorëve.

Nga Stopanska Banka ndërkohë thonë se këtë vit shënojnë 75-vjetorin e punës, ndërsa presin që përvjetorin ta shënojnë me rritje të mëtejshme të punës.

“Planet tona afatgjate bazohen në rritjen e pritshme të ekonomisë, aktivitetin e zmadhuar investues tek kompanitë, rritjen e eksportit dhe vendeve të punës, rritjen e pagave mesatare mujore, të përkrahur nga oferta gjithëpërfshirëse e prodhimeve dhe shërbimeve tona”, thotë Domidis Nikoletopulos, drejtor i Stopanska Banka.

Nga Banka Komerciale presin rritje të portofolios së kredive, si dhe shërbime dhe prodhime të reja për klientët. “Duke pasur parasysh se ofrojmë më shumë kredi për biznesin në raport me popullatën, presim që në raport të ngjashëm të kemi edhe sivjet. Ky raport i këtyre dy segmenteve përgjatë viteve zvogëlohet minimalisht në favor të popullatës, por megjithatë ekziston pjesëmarrje më e madhe e sektorit koorporativ”, thotë drejtoresha financiare e Bankës Komerciale, Maja Stevkova-Shterieva.

Edhe nga Halk Banka thonë se presin rritje të kreditimit, si dhe mundësi të reja për investime.

“Target grupi jonë janë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që paraqesin bazën e ekonomisë, andaj edhe sivjet do të vazhdojmë me përkrahje të vazhdueshme për ekonominë reale dhe popullatën lidhur me kreditë, duke mbajtur njëherazi gjendjen e balancuar së portfolios së kredive. Njëherazi, konsumi privat edhe më tej është një nga faktorët kryesor të rritje së Prodhimit të Brendshëm Bruto që supozon edhe rritje të kreditimi të popullatës”, thotë Billall Suxhu-Bashi, drejtor i Halk Bank në Maqedoni.

Sipas drejtorit të Shparkase Bankës në Maqedoni, Gligor Bishev, shteti nevojitet të përforcojë efikasitetin e institucioneve, sundimin e së drejtës, të rrisë konkurrencën, si dhe të ristrukturojë ekonominë.

“Faktori kryesor që do të diktojë rritjen ekonomike do të jenë investimet e sektorit privat, ndërsa pjesa më e madhe e tyre do të financohen me kredi të bankave, ku kryesorja do të jetë ekspertiza profesionale e bankave”, shton Bishev. Sipas tij, sivjet kjo bankë do të ofrojë edhe përkrahje kreditore për rritjen e konkurrencës dhe efikasitetit. Ndryshe, deri në muajin nëntor të vitit 2018, bankat kanë miratuar afër 5 miliardë euro kredi për biznesin dhe popullatën. Apo me fjalë të tjera, kanë miratuar afër 2.6 miliardë euro për sektorin koorporativ dhe afër 2.5 miliardë euro për amvisëritë. (koha.mk)

Marketing