Barcelona-Real Madrid, ja parashikimi i ‘El Clasico’-s përmes statistikave

Ka shumë për të thënë gjithmonë, kur dy gjigantët e La Liga-s, Barcelona dhe Real Madrid, përplasen “kokë më kokë”. E ashtuquajtura “El Clasico” e mirënjohur në gjithë botën vihet në skenë për herë të parë këtë sezon. Për katalanasit, objektivi kryesor do të jetë ruajtja e kreut të renditjes së kampionatit spanjoll, duke e zgjatur periudhën e tyre si të pamposhtur në tri ndeshjet e fundit.

Marketing

Nga ana tjetër, një ekip si Real Madridi, i goditur nga kriza, do ta mirëpriste idenë e lehtësimit të mërzitjes midis tifozëve të vet me një fitore ndaj rivalit më të madh. Klubi i kryeqytetit spanjoll hyn në përplasjen epike të së dielës pa një fitore të vetme në katër ndeshjet e fundit të La Liga-s, me Julen Lopetegui në prag të shkarkimit.

 

Pra, thelbi i motiveve “jetë a vdekje” të të bardhëve për të siguruar një rezultat të favorshëm në “Camp Nou”, ku kanë më shumë se 1300 ditë pa humbur (nga 22 marsi 2015), nuk mund të nënvlerësohet.

Sa iu përket rezultateve, një faktor kyç për t’u marrë parasysh në prognozën e ballafaqimit të së dielës është se sa e frikshme ka qenë Barcelona në shtëpi dhe Real Madridi në transfertë. Kuptohet, referuar sezonit aktual. Sipas statistikave, Barça ka shënuar 18 gola në shtëpi, ndërsa Real Madridi e ka gjetur rrjetën vetëm 5 herë larg “Santiago Bernabeu”.

Përveç barazimit 1-1 me Athletic Club në shtator, Blaugranët kanë shënuar dy ose më shumë gola në pesë ndeshjet e luajtura deri më tani. Mes tyre ishte rezultati 8-2 ndaj Huesca, në ndeshjen e tretë.

Në këtë drejtim, Barcelona aktualisht ka mesatarisht 2.56 gola për lojë, ndërsa në ndeshjet që i luan në shtëpi, katalanasit arrijnë në mënyrë akumulative 3.60 gola për lojë. Duke e shqyrtuar anën tjetër të medaljes, të besuarit e Valverde kanë pësuar shtatë gola në shtëpi, ndonëse asnjë prej tyre nuk i ka vendosur ata në pozitë humbësi.

Në të kundërt, Real Madridi ende duhet të vendosë dominimin e vet sulmues larg shtëpisë. Nga pesë gola të shënuar prej Merengues në transfertë, ata kanë pësuar edhe gjashtë të tillë. Larg nga shtëpia, të besuarit e Julen Lopetegui kanë shënuar mesatarisht 1.25 gola për lojë.

Përfundimi: Ndërsa paparashikueshmëria e “El Clasico” mbetet ende e madhe, shumë pikëpyetje ngrihen te fitorja e Barcelonës nga mungesa e yllit të saj, Lionel Messi. Sidoqoftë, përballë situatës së pastabilizuar mbrojtëse të Real Madridit, e ekspozuar ndaj golave në çdo ndeshje, katalanasit mund të jenë shumë më të favorizuar për sukses të dielën. Nëse doni një rezultat përfundimtar, sipas “livesoccertv.com “, që bën edhe krahasimin e shifrave të mësipërme, Barcelona fiton 3-1 ndaj Real Madridit. /Telesport/

Image

Marketing