Basha: Bashkë në protestën e nesërme për të shkulur të keqen me rrënjë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu bashkua protestuesve të “Unazës së Re” pasditen e së shtunës, ditën kur Partia Socialiste çeli zyrtarisht fushatën zgjedhore për “Lokalet 2019”, për të ripërsëritur thirrjen për masivitet në protestën e së dielës mbrëma për të ndalur të keqen me vendosmëri.

Marketing

“Do të shkulim të keqen me rrënjë dhe do ta çlirojmë Shqipërinë nga kjo bandë hajdute, kjo bandë e pashpirt e shtazarake, që tash një vit është kthyer në terrorin e fëmijëve dhe të vogëlushëve shqiptarë, në terrorin e fëmijëve tek Unaza e anekënd vendit, për shkak se ka vendosur xhepin e pangopur dhe të babëzitur të Edi Ramës, hajdutit më të madh në 3 dekada në Shqipëri, mbi interesat e qytetarëve të thjeshtë, mbi bukën e gojës së këtyre vogëlushëve. Me krenari e përsëris se Unaza e re ka qënë dhe është frymëzimi për betejën tonë”, tha Basha.

Kreu i opozitës theksoi më tej atë që e quan tentativë përsëritjeje për të grabitur disa qindra milionë euro në aksin Milot-Balldre, siç donin të bënin me projektin ëpr Unazën e Re.

“Të gjithë bashkëqytetarëve që po na ndjekin në këtë çast, apo në kronikat e lajmeve të atyre ekraneve që nuk kanë pronarë plaçkitës të bukës së fëmijëve tuaj, dua t’iu jap këtë mesazh: Donin të vidhnin këtu 40 milionë euro për 2 kilometra, 30 milionë prej tyre t’i çonin në kontot bankare. Donin të hapnin kantierin e parave të pista duke zhvendosur Lanën për Taulant ‘Yaris’ dhe mikun e tij trafikant droge, që do të pastrojë 60 milionë euro. E për këtë donin të shkatërronin shtëpitë e mbi 1.000 familjeve”, deklaroi Basha.

Në fund, Basha tha se që kjo betejë të shkojë në fund, duhet shkulur e keqja me rrënjë. “Të bashkohemi nesër në orën 19:00 përpara selisë së të keqes që ka larguar 500 mijë shqiptarë. Të bashkohemi në protestën e nesërme në rrugën tonë pa kthim, për të mos lejuar më asnjë dramë”, u shpreh kreu i opozitës.

Marketing