Basha: Nuk ka dialog pa largimin e Ramës

Kryetari i partisë Demokratike Lulzim Basha tha të enjten se largimi i Kryeministrit Edi Rama është kusht i panegociueshëm për opozitën për nisjen e dialogut politik në vend.

Marketing

“Largimi i Ramës është kushti i parë dhe i panegociueshëm për nisjen e dialogut politik. Pa largimin e Ramës nuk ka dialog, pa largimin e Edi Ramës do të vazhdojë përballja në të gjitha format”, tha Basha për gazetarët në përfundim të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë, ku u miratuan propozimet e Bashës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve fasadë”.

Basha tha se Partia Demokratike do të pamundësojë çdo krim tjetër elektoral si ai i vitit 2017, por pyetjes së gazetarëve lidhur me mënyrën që do ta bëjë diçka të tillë, ai tha se do të ketë kohë për shpalosje të planit opozitar në javët në vazhdim.

“Misioni ynë është i qartë, Këshilli Kombëtar ka sanksionuar hapat për betejën tonë politike që ka objektiva të qarta, të çrrënjosim krimin, të çrrënjosim korrupsionin. PD zotohet të pamundësojë çdo krim tjetër elektoral. Beteja për votën e lirë është betejë për çdo shqiptar”, tha Basha.