Përmes një postimi në Facebook, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka sulmuar kryeministrin Rama se mbron kriminelët dhe sulmon denoncuesit e krimit, sa herë që kapet në krim.

Bashkangjitur me statusin Basha ka publikuar edhe një video ku jepet rasti i Dritan Zaganit, polici që akuzonte ministrin Tahiri për lidhje kriminale me Habilajt, të cilin kryeministri Rama e cilësonte në atë kohë një kriminel, bashkëpunëtor i trafikantëve të drogës që dekonspironte operacionet e policisë.

Gjithashtu më tej jepet edhe rasti më i fundit i denoncuar nga një tjetër efektiv policie, Emiliano Nuhu, i cili shprehet se disa zyrtarë të Partisë Socialiste i janë futur të armatosur në zyrë dhe emrat që Nuhu përmendi janë deputeti Taulant Balla, kreu i Bashkisë Krujë, Artur Bushi dhe deputeti Rrahman Rrahja, djali i të cilit është akuzuar nga Xhisiela Maloku se është dhunuar. Nuhu u cilësua paraditen e së dielës nga kryeministri Rama si një horr që u kthye në hero.

“Krimi shtetëror është projekti personal i Edi Ramës, ne do ta çmontojmë nga rrënjët. Politikanët e lidhur me krimin duhet të largohen. Vetting në politikë pa vonesë”, shkruhet më tej në videon e postuar nga kreu i opozitës, Lulzim Basha.