Senatori amerikan dhe kryesuesi i Komisionit për Siguri Shtetërore Ron Johnson javën e ardhshme vjen në Maqedoni, ndërsa do t’i vizitojë edhe Greqinë, Serbinë dhe Kosovën.

Johnson në Shkup, Beograd dhe Prishtinë do të ketë takime me përfaqësues të lartë qeveritarë, transmetojnë mediat serbe duke iu referuar informacioneve nga Ambasada amerikane në Serbi.

Senatori Johnson është një nga bashkëpunëtorët e ranguar lartë të presidentit amerikan Donald Tramp, përgjegjës për misione speciale. Xhonson është kryesues i Nënkomitetit për bashkëpunim në siguri evropiane dhe rajonale.

Senatori republikan nga Uiskonsini, për herë të fundit qëndroi në rajon në shkurt, kur i vizitoi Beogradin dhe Prishtinën.

Johnson në paraqitjet e tij publike kërkon angazhim më të madh të Uashingtonit në Ballkan dhe integrim të vendeve të rajonit në BE dhe NATO.