Në vigjilje të referendumit të 30 shtatorit sot në takime në Shkup me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Principatës së Luksemburgut, Zhan Aselborn. Të premten në vizitë në Maqedoni vjen kancelari austriak Sebastijan Kurc, ndërsa të shtunën në Ditën e Pavarësisë edhe kancelarja Angela Merkel.

Pritet që zyrtarët e lartë evropianë dhe njeriu i parë i NATO-s t’i japin përkrahje Maqedonisë për referendum të suksesshëm dhe anëtarësimit të vendit në NATO dhe në BE.

Stoltenbergun mbrëmë në aeroportin e Shkupit e priti ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska. Në vigjilje të vizitës së njeriut të parë të NATO-s, dje Shekerinska deklaroi se bota me të vërtetë e vlerëson këtë që po ndodh në Maqedoni dhe jep përkrahje të fuqishme të synimeve tona strategjike anëtarësimin në BE dhe në NATO.

“Në një vit për herë të parë na ndodh që sekretari i përgjithshëm i NATO-s ta vizitojë Maqedoninë si vend i cili ende nuk është anëtar i NATO-Aleancës. Këshilli me të vërtetë e vlerëson këtë që po ndodh në Republikën e Maqedonisë dhe jep përkrahje të fuqishme në dy synimet tona strategjike – anëtarësimi në BE dhe anëtarësimi në NATO”, tha ministrja.

Zëdhënësi i Qeverisë Mile Boshnjakovski, në lidhje me vizitën e kancelares gjermane Angela Merkel në Shkup thotë se përputhja e vizitës së saj me festën shtetërore të Maqedonisë 8 Shtatori flet vetë për simbolikën.

Ambasadorja austriake Renate Kobler në bisedë për MIA-n theksoi se Maqedonia asnjëherë nuk ka qenë më afër Bashkimit Evropian.

“Raporti me rekomandimet e Komisionit në prill ishte pozitiv. Këshilli i ministrave në qershor, gjithashtu dha sinjal pozitiv. Mund të them se bashkëpunimi me vendet fqinje është përmirësuar shumë, veçanërisht në nënshkrimin e marrëveshjes me Greqinë, ndërsa është përmirësuar bashkëpunimi edhe me Bullgarinë”, tha Kobler.

Ajo shtoi se hapi i ardhshëm është referendumi dhe se qytetarët e Maqedonisë e meritojnë hapin e ardhshëm deri në Bashkimin Evropian.

“Në masë të madhe, Maqedonia tani e ka mbështetjen më të madhe. E shihni erdhi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, të premten vjen kancelari i Austrisë, Sebastian Kurc, të shtunën kancelarja gjermane Angela Merkel. Kjo nënkupton se e gjithë përkrahja shkon dorë për dorë me të gjitha reformat që duhet të bëhen. Ka shumë fusha që duhet të përfshihen me reformat: këtu janë, para së gjithash, gjyqësori, arsimi dhe bujqësia, të cilat janë përfshirë me raportin e Komisionit”, tha ambasadorja austriake, vendi i së cilës është kryesuesi aktual me BE-në.

Kryeministri Zoran Zaev përsëriti se Qeveria e tij është njëqind për qind e përcaktuar për anëtarësim në NATO dhe BE dhe kjo është kështu dhe kështu do të mbetet.

Ndërmjetësuesi i KB-së në kontekstin me emrin Methju Nimic në intervistë për BIRN, në lidhje me kontestimin e Marrëveshjes me Greqinë për emrin tha se kaluan 25 vite, ndërsa mund të kalojnë edhe aq deri në një marrëveshje të re nëse nuk kalon kjo.

Për të, ideja për pritje afatgjate dhe moszbatimi i marrëveshjes është shumë i rrezikshëm.

“Atyre në vendin tuaj që thonë “të presim, të shohim edhe disa vite, do të kemi marrëveshje më të mirë në të ardhme” unë u them “Nuk e dini atëherë se ku do të jetë BE-ja, a do të dëshirojnë edhe një anëtare tjetër, a do të dëshirojnë që ajo anëtare të jetë Maqedonia, nuk e dini ku do të jetë NATO, nuk e dini se çka do të ndodhë në Greqi me pushtetin e ndërruar, nuk e dini se çka do të ndodhë në rajon. Ideja për pritje afatgjate është shumë e rrezikshme”, thekson Nimic.

Thotë se është optimist i rezervuar, por se përsëri, nuk ka përfunduar gjithçka. Që marrëveshja të zbatohet, duhet të kalojë referendumi, të miratohen ndryshimet kushtetuese dhe pastaj parlamenti grek ta ratifikojë.

“Shpresoj se do të kalojë në të dyja vendet, sepse është zgjidhje korrekte dhe e ndershme për të dyja palët, por nëse nuk kalon, nuk shoh zgjidhje të shpejtë. Kaluan 25 vite, mund të kalojnë edhe 25. Dhe shumë njerëz do ta humbin interesin, nëse kjo nuk kalon tani në vendin tuaj”, paralajmëroi Nimic.