Bayerni e mund Olympiacosin, e kalon fazën e grupeve para kohe

Bayern Munich e ka vazhduar ecurinë e përkryer në Grupin B në Ligën e Kampionëve, duke e siguruar kualifikimin në fazën e eliminimit direkt pasi e mundi 2:0 Oympiacosin në atë që ishte fitorja e katërt në po kaq ndeshje deri tani.
Robert Lewandowski dhe Ivan Perisic shënuan dy golat e së lehtë për Bayernin kundër grekëve të Olympiacosit të mërkurën në Allianz Arena, raporton Gazeta Express.
Kjo është fitorja e parë e Bayernit tri ditë pas shkarkimit të trajnerit Niko Kovac dhe pas humbjes turpëruese 5:1 kundër Frankfurtit në Bundesligë.

Marketing

Kampioni gjerman tani grumbull maksimumin e pikëve 12 nga 12 të mundshme dhe mban kreun e grupit, duke i lënë prapa Tottenhamin, që i ka 4 pikë dhe Crvena Zvezdën me 3 sosh.
Olympiacos ngel i fundit me vetëm 1 pikë dhe pa asnjë fitore.
Vendasit ishin skuadër dukshëm më e mirë dhe e kontrolluan ndeshjen, edhe pse nuk ishin efikasë duke i parë rastet e shumta.

Vizitorët nga Greqia nuk e patën asnjë goditje brenda kornizës së portës së Manuel Neuer.
Bayernit, megjithatë, iu desh të priste gjatë për ta thyer akullin. Robert Lewandowski shënoi për epërsinë e bavarezëve në minutën e 69-të, pas një asisti nga Kingsley Coman.
Ivan Perisic, në prekjen e tij të parë pasi u fut në lojë në minutën e 88-të, shënoi për 2:0 një minutë më vonë.
Bayerni, që praktikisht e ka siguruar kualifikimin, luan kundër Zvezdës në udhëtim në ndeshjen e ardhshme, ndërsa Olympiacos i shkon Tottenhamit.

Marketing