Pas barazimit kundër Augsburgut dhe disfatës kundër Hoffenheimit, Bayerni arriti t’u kthehet fitoreve në Bundesligë në ndeshjen kundër Union Berlinit. Xhiroja e nëntë e Bundesligës nuk solli fat të njëjtë për Dortmundin, që u ndal me barazim pa gola nga Schalke.

Bayern 2:1 Berlin

Bayerni e mori kreun e tabelës së Bundesligës, të paktën deri në fund të kësaj xhirojë, pas tre pikëve të fituar në ndeshjen kundër Union Berlinit, që tani radhitet në pozitën e 15-të, raporton Gazeta Express.

Për t’i fituar tre pikët e kësaj ndeshjeje, Bayernit i erdhën në ndihmë Benjamin Pavard, që e shënoi golin e parë të ndeshjes në minutën e 13-të, dhe Robert Lewandowski, që e vazhdoi superformën e treguar deri më tani këtë sezon duke shënuar në minutën e 53-të.

Mysafirët e rritën intensitetin e lojës pas golit të dytë të Bayernit, mirëpo Sebastian Andersson e humbi një mundësi të artë për ta shënuar golin e parë për Union Berlinin në minutën e 59-të, kur dështoi nga pika e penalltisë.

Atë që Adersson s’e bëri dot në minutën e 59-të, e bëri Sebastian Polter në minutën e 86-të të ndeshjes, kur e shënoi golin e vetëm të skuadrës së tij, nga pika e penalltisë.

Schalke 0:0 Dortmund

Në anën tjetër, përballja mes Schalkes dhe Dormtundit u mbyll pa gola, përkundër tentimeve të të dyja skuadrave për ta gjetur golin e fitores.

Përderisa Dormtundi dominoi me posedim të topit, të dyja skudrat i patën nga tri goditje drejt portës. Megjithatë, rasti më i mirë i ndeshjes i takoi Schalkes.

Tani, Dormtundi radhitet në pozitën e tretë me 16 pikë, ndërsa Schalke në atë të shtatë me 15 pikë.