BDI, dega – Gostivar reagon kundër Komunës për dukurinë e qenve endacakë

Konferencë për Shtyp, BDI, dega – Gostivar
Të nderuar përfaqësues të mediave, konferenca e sotme për shtyp e degës së BDI në Gostivar lidhet me dukurinë e qenve endacakë në territorin e komunës së Gostivarit.
Premtime, zhurmë mediatike, deklarata pampoze dhe plotë investime, kemi dëgjuar këto tre vite nga kreu aktual i komunës së Gostivarit rreth menaxhimit të situatës me qentë endacakë.

Marketing

Po cili është përifitimi për qytetarët e Gostivarit nga e gjithë kjo maskaradë trevjeçare?
A u zgjidh problemi me qentë endacakë?
A kemi sot më pak qenë rrugëve të Gostivarit?
A kemi sot më pak raste të kafshimeve nga qentë endacakë?

Në fushatën parazgjedhore Kryetari aktual premtoi se zgjidhjen me qentë endacakë do ta realizojë vitin e parë si Kryetar komune. Kaluan 3 vite dhe zgjidhje nuk ka, madje situata është përkeqësuar dhe tani paraqitet alarmante.

Sipas të dhënave nga komuna e Gostivarit, këto tre vite u harxhuan mbi 80 mijë euro për këtë qëllim dhe problemi ende nuk është zgjidhur.

Në vitin 2018, Kryetari aktual promovoi hapejn e një stacionari për trajtimin qenve endacakë. U tha që do të përkujdeset ekip profesional. Gjatë vitit 2020, po ashtu, u promovua një stacionar i ri për trajtimin qenve endacakë. Ishte projekti “Më ofro strehë për shpëtim”, financuar nga Programi rajonal në Ballkanin Perëndimor ReLOaD me financim të BE dhe implementim nga UNDP. Ngritja e Stacionarit ka kushtuar 9.000 euro. Në këtë projekt, Komuna e Gostivarit ka bashkëfinancuar 25 % të mjeteve dhe ka mbuluar të gjitha harxhimet e tjera që nuk kanë qenë të parapara në projekt. Te stacionari i ri u tha se do të punësohen 4 persona dhe se do të funksionojnë 30 bokse. Po ashtu, se do të përkujdeset ekip profesional do të angazhohen dy veterinerë të cilët do t’i vaksinojnë dhe do t’i sterilizojnë qentë endacak, do tu vendosen çipa si garanci se janë të pastër.

Këto 3 vite, sipas të dhënave të institucioneve relevante, numri i kafshimeve nga qentë endacakë është dyfishuar. Këto 3 vite rrugëve të qytetit shohim prani të qenve me numër më të madh se kurrë.

Premtimet u dhanë, taksat e qytetarëve të Gostivarit u harxhuan dhe efekti ishte Zero.

Që fjalët të cilat u thanë në këtë konferencë për shtyp të mos mbeten vetëm fjalë, në vazhdim ua sjellim pamjet trishtuese nga të ashtuquajturat strehimore.

Situata është mizore. Njëra strehimore është jashtë funksionit, kurse tjetra është llogore për qentë e mbyllur brenda. Pa drita, pa ujë, pa ushqim dhe pa asnjë kushtë elementar, këto qenë po qëndrojnë brenda mureve për 4 muaj me radhë. Nuk u trajtuan dhe nuk po tregohet asnjë llojë kujdesi ndaj tyre. Pamjet flasin vetë.

Me qentë nëpër rrugët e Gostivarit qytetarët përballen çdo ditë. Se si trajtohen qentë nga Kryetari aktual, u pa nga video materiali që u prezantua.

Kur këtyre fakteve ua shtojmë edhe numrin alarmant të kafshimeve, qytetarëve të Gostivarit u bëhet shumë e qartë situata aktuale me qentë endacakë.

Edhe njëherë parashtrohet pyetja. Çka bëri kryetari aktual në këto tre vite të qeverisjes së tij ?

Bëri shpenzime jo produktive gati 100 mijë euro. Keqpërdori besimin e organizatave ndërkombëtare, organizatave civile dhe institucioneve të tjera. Keqpërdori donacionet nga këto organiata. Bëri trajtim jo human të qenve endacakë, dhe aty po ndodh një krim i vërtetë ndaj kafshëve.

Ftojmë organizatat dhe institucionet kompetente që merren me këtë problematikë që të ngrijnë zërin ndaj kësaj dukurie të tmerrshme.

Qytetarët e frikësuar nga bredhja e qenve endacakë gjithandej qytetit, me të drejtë pyesin se ku shkuan gjithë këto mjete financiare, dhe pse nuk ka rezultate në terren. Konstatimi është e thjeshtë. Punët janë bërë dhe po bëhen sipërfaqësisht, kurse fondet po keqpërdoren.

Ju faleminderit.

Valdet Xhaferi, BDI – Gostivar
02.12.2020

Marketing