BDI-Gostivar, kundërshton vendosjen e Info Qendrës Turistike në sheshin e qytetit

Qytetarët e Gostivarit janë dëshmitarë të vendosjes së një objekti montues në sheshin e qytetit. Ky objekt është i dedikuar për Info Qendër Turistike dhe është projekt i financuar nga Ministria e Pushtetit Lokal dhe SDC (Swiss Development Cooperation). , ndërsa implementohet nga Qendra për Zhvillim të Rajonit të Pollogut.
Pasi qytetarë të shumtë po shprehin shqetësimin e tyre, Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Gostivar sqaron opinionin publik që mbështet iniciativën e institucioneve të lartpërmendura si një mundësi e mirë e promovimit të Gostivarit dhe rrethinës si një destinacion turistik, por e kontestueshme mbetet lokacioni, pasi objekti është vendosur në një vend të kufizuar publik siç është sheshi i qytetit.
Veprimi i tillë pa një konsultim të gjerë publik me qytetarët e Gostivarit, pasi atyre u merret e drejta për të shfrytëzuar hapësira publike që u takon, po zbeh këtë investim të rëndësishëm nga qeverisja qendrore dhe faktori ndërkombëtar. Me një veprim të tillë të pa konsultuar me qytetarët, po uzurpohet një pjesë e rëndësishme e sheshit të qytetit.
Qyteti i Gostivarit ka vende publike ideale për këtë qëllim, dhe që nuk do të cënonte hapësirën publike në sheshin e qytetit, edhe ashtu tepër të kufizuar. Do të ishte mirë që Info Qendra Turistike të vendoset në vend të përshtatshëm por që nuk do të pengonte lëvizjen e lirë të qytetarëve. Do të ishte ide e qëlluar që zyra të hapej në suaza të objektit të komunës, pasi edhe ashtu, objekti ndodhet vetëm disa metra nga sheshi i qytetit, ose në objektin egzistues i cili ndodhet te shëtitorja e lumit Vardar, te ura në afërsi të gjyqit, objekt ky i cili tani më së shumti vizitohet nga qentë endacak. Me këtë veprim, objekti nuk do të ishte pengesë për qytetarët e Gostivarit dhe do të paraqiste lëvërdi financiare, pasi nuk do të bëheshin shpenzime plotësuese për mirëmbajtjen e objektit.
Ndërsa sa i përket ekipit që do të angazhohet në Info Qendrën Turistike është mirë të angazhohen punonjësit me kontratë në administratën e komunës, të cilët, edhe ashtu janë në numër të madh dhe marrin rrogë pa ndonjë angazhim konkret. Vetëm kështu nuk do të krijoheshin shpenzime shtesë në buxhetin e komunës që mblidhet nga taksat e qytetarëve të Gostivarit.
Ftojmë Taravarin të dislokojë këtë objekt dhe të mos arsyetoj këtë veprim të tij skandaloz për qytetin tonë.

Marketing
Marketing