BDI Gostivar: Taravari përsëriti gabimet e njëjta që publikisht pranoi se i kishte bërë

Që në fillim të sqarimit të opinionit publik në lidhje me marrjen e kompetencave në arsim nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe deklarimeve irituese nga ana e Kryetarit të komunës së Gostivarit, shprehim indinjatën tonë të thellë që Taravari u orvat që rastin në fjalë ta ndërlidh me rastin tragjik që tronditi Gostivarin dhe gjithë rajonin.

Ndërlidhja e rastit tragjik për të arsyetuar veprimet e tij joligjore, tregon qartë se ky person nuk zgjedh mjete për t’u paraqitur në opinion si viktimë e pushtetit qendror. Është mëkat dhe e pafalshme që të keqpërdoret rasti tragjik për qëllime dhe politikë ditore.

Dega e Bashkimit Demokratik për Inetegrim – BDI, dëshiron të njofton opinionin publik që Taravari publikisht pranoi se në rastin e parë të ndërrimit të drejtorëve kishte pasur lëshime ligjore nga ana e tij. Pas 9 muajve kompetencat iu kthyen, dhe Taravari përsëriti gabimet e njëjta që publikisht pranoi se i kishte bërë.

Duke u nisur nga kjo, Inspektorati i Arsimit, edhe në rastin e dytë ka konstatuar që Taravari sërish ka bërë shkarkimin dhe emërimin e drejtorëve në kundërshtim me ligjin, gjë që solli në veprimin e domosdoshëm nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Kujtojmë opinionin që në ditën që komunës së Gostivarit iu rikthyen kompetencat në arsim, dega e BDI-së në Gostivar i apeloi Taravarit publikisht që të vepronte konform ligjit me qëllim që situata të mos përsëritej më. Për habi, Taravari me vetëdije të plotë sërish veproi në kundërshtim me ligjin. Habit fakti që përse Taravari e përsëriti veprën e tij. E pyesim publikisht nëse këtë e ka bërë nga paaftësia e tij për të menaxhuar me shkollat dhe për të iu shmangur obligimit që ka si Kryetar komune.

I ngarkuar politikisht, Taravari ashtu siç keqpërdori rastin tragjik, i vetëdijshëm se vepron në kundërshtim të plotë me ligjin, pa asnjë fije turpi po tallet edhe me nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit e Gostivarit, të cilët nuk e dinë se cili është drejtor shkolle sot dhe cili do të vijë nesër.

Dëshirojmë të njoftojmë opinionin publik që kohëve të fundit jemi kontaktuar nga shumë mësimdhënës të shkollave të Gostivarit, të cilët janë ankuar se procesi edukativ dhe mësimor me ndërrimin e drejtorëve ka pësuar deformim në të gjitha drejtimet, dhe kanë kërkuar që të merren masat e nevojshme ligjore, me qëllim që të rikthehet normaliteti në procesin edukativ dhe arsimor në shkollat fillore dhe të mesme publike në komunën e Gostivarit.

Për fund, kërkojmë publikisht nga Arben Taravari që të kërkoi falje pubilike për keqpërdorimin që ua bëri viktimave të rastit tragjik, dhe përfundimisht, të mësohet të punoi sipas ligjit. Para ligjit të gjithë jemi të barabartë, dhe nuk mund të ketë përjashtime vetëm se ashtu kërkon Arben Taravari.

Me respekt,
dega e Bashkimit Demokratik për Integrim, BDI – Gostivar

evn