BDI: Karvani “Realizo ëndrrën”nis nga Qeveria

Sot, para ndërtesës së Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, kandidati për
Kryeministër të parë shqiptar, Naser Ziberi, mbajti konferencë për shtyp
në të cilën iu drejtua të gjithë qytetarëve të vendit, një javë para
ditës historike të zgjedhjeve, në të cilën qytetarët do të kenë
mundësinë të japin votën e tyre për realizimin e ëndrrës së kahmotshme,
për një kryeministër shqiptar, për barazi dhe për shanse më të mira për
të gjithë.

Marketing

“Një javë më parë, unë kam prezantuar planin tim të veprimit për 100
ditët e mia të para si Kryeministër i parë shqiptar, këtu, në të njëjtin
vend, përpara ndërtesës së Qeverisë. Njëzetë e pesë masa shumë konkrete
që do t’i zbatoj me prioritetin më të lartë që nga dita e parë në
detyrë. Njëzetë e pesë masa shumë konkrete, të cilat do të përmirësojnë
jetën e të gjithë qytetarëve, jo vetëm të shqiptarëve” – potencoi
Ziberi, duke shtuar se “me Gjykatën e Lartë të Barazisë do të ndërtojmë
një institucion të ri, i cili do të sigurojë drejtësi të barabartë dhe
do të hetojë të gjitha rastet e dyshuara të diskriminimit etnik në
sallën e gjyqit, në administratën shtetërore, nga autoritetet, në
shkolla dhe në punë”.

Ai gjithashtu nënvizoi se me planin e tij për rilindje të barabartë të
ekonomisë, do të krijojë mijëra vende të reja pune dhe do të arrihet
barazi edhe në kompanitë private. “Taksa zero për të ardhurat për
punonjësit nën 35 vjeç do të rrisë pagat, por gjithashtu do t’i motivojë
kompanitë të punësojnë të rinj. Zëvendësimi shtetëror prej 50 përqind i
kontributit social për punësime të reja, që rrisin përfaqësimin e
barabartë, do të krijojë vende pune, veçanërisht për shqiptarët dhe do
të largojë pengesat etnike. Grantet  20,000 Euro për fermerët e rinj, do
të ruajnë bujqësinë si një nga shtyllat më të rëndësishme të ekonomisë
sonë” – theksoi disa prej zotimeve të programit të tij Ziberi.

Mes tjerash ai theksoi edhe zotimin se do të sigurojë 20.000 euro hua
shtetërore për shtëpi të parë me qëllim që të rinjtë ta ndërtojnë të
ardhmen e tyre këtu. “Do të sigurojmë që secila familje në këtë vend, të
ketë të paktën një të punësuar dhe të ardhura të sigurta”, vazhdoi
Ziberi duke shtuar se “do të japim pensione sociale për të gjitha gratë,
të cilat kurrë nuk kanë punuar zyrtarisht, por kanë kontribuar aq shumë
në ndërtimin e shtetit tonë dhe shoqërisë sonë. Sepse ju mund ta shihni
vlerën e një shoqërie nga mënyra sesi ajo i trajton gratë, fëmijët dhe
pleqtë e saj”.

“Mbetet një javë për të bindur sa më shumë njerëz për këtë ide të
Kryeministrit të parë shqiptar, për një jete më të mirë për të gjithë
ne. Me një mbështetje të fortë të qytetarëve shqiptarë, por edhe me
mbështetjen e maqedonasve, dhe të bashkësive të tjera etnike, ne do ta
bëjmë këtë realitet- shtoi Ziberi, duke informuar se menjëherë pas kësaj
konference për shtyp, do të fillojë rrugëtimin e tij për të vizituar të
gjitha fshatrat dhe qytetet e Maqedonisë së Veriut, me ç’rast do të
informohet rreth nevojave dhe ideve të qytetarëve si dhe rreth
këndvështrimit të tyre ndaj masave që ai i ka planifikuar për 100
ditshin e parë”.

“Më 16 korrik, do të kthehem në ndërtesën e Qeverisë, për t’i zbatuar të
gjitha këto ide, për të përmirësuar standardet e jetesës dhe për të
sjellë barazi për të gjithë qytetarët. Ftoj çdo qytetar të Maqedonisë së
Veriut, të bashkohet me ne në këtë udhëtim për një jetë më të mirë” –
përfundoi fjalën e tij para mediave Ziberi.

 

Marketing