BDI: Koalicioni Alternativa – ASH po shkatërron Çarshinë e Shkupit (FOTO)

Bashkimi Demokratik për Integrim qartëson në mënyrë të argumentuar kompetencat e menaxhimit të Çarshisë së Vjetër të Shkupit dhe largon njëherë e përgjithmonë hutinë që koalicioni i dy subjekteve politike Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa tenton ta krijojë duke akuzuar pabazë Bashkimin Demokratik për Integrim.
Rikujtojmë nënkryetarin e ish partnerit tonë të koalicionit Arben Taravari, ish PDSH, i cili sot në faqen e tij të rrjetit social Facebook kishte publikuar disa fotografi se duhet të lexojë mirë ligjin për shpalljen e Çarshisë së Vjetër zonë të trashëgimisë kulturore në të cilin saktë është e precizuar se për mbrojtjen e kësaj zone ku aktualisht po ndërtohet është e obliguar Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, si dhe mbi të gjitha Inspektorati Shtetëror për Ndërtim dhe Urbanizëm.
Këtë e dëshmon edhe ligji për ndërtim në të cilin ndërtimet në brendinë e Çarshisë cilësohen si ndërtime të kategorisë së parë për të cilat kompetencat e veprimit i kanë institucionet e përmendura të cilat nuk drejtohen nga kuadër të Bashkimit Demokratik për Integrim.
Arben Taravari me mungesë të dijës elementare harron se drejtor i Inspektoratit Shtetëror për Ndërtim është kuadër i partnerit të tij të koalicionit Alternativës dhe para se i njejti të drejtojë gishtin kah Bashkimi Demokratik për Integrim është mirë që përgjegjësinë për neglizhencën dhe mosveprimin në suaza të kompetencave ligjore ta kërkojë tek bashkëpunëtori i tij. Ne po i dërgojmë edhe hartën ku qartë shihen kufinjtë e përcaktuar dhe cilës pjesë i takojnë zonat ku po ndërtohet e të cilat ia kemi shenjëzuar me të kuqe në bazë të ligjit për shpalljen e Çarshisë së Vjetër zonë të trashëgimisë kulturore.
Këshillojmë koalicionin Aleancë – Alternativë që në rradhë të parë të merren me pastrimin e oborrit të tyre dhe të japin përgjegjësi se pse lejojnë shkatërrimin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit.