BDI në Çegran dhe Forinë të Gostivarit: Vota për kandidatin konsensual është votë pro NATO-s dhe BE-së

Bashkimi Demokratik për Integrim në kuadër të fushatës për zgjedhjet presidenciale të 21 Prillit, të martën qëndroi në rajonin e Gostivarit, nga ku për së afërmi bashkëbiseduan me banorët e Çegranit dhe Forinës.
Shefi i Shtabit Qendror Zgjedhor për zgjedhjet presidenciale 2019, Izet Mexhiti para banorëve të dy lokaliteteve potencoi se me mbështetjen e kandidatit konsensual për president mbështesim proceset integruese të vendit.

Marketing

“Jemi në dekadën e tretë të demokracisë dhe BDI ka bërë të gjitha analizat për veprim të mëtejmë. Në vitin 2016 ne si BDI vendosëm të krijojmë një shumicë të re qeveritare me LSDM që kishte 49 deputetë dhe jo me VMRO-DPMNE që kishte 51 deputetë. Ishim të vetëdijshëm që ua mundësojmë partive të vogla me nga një apo dy deputetë të faktorizohen për shkak të shumicës së ngushtë që kishim në Parlament. U formua Qeveria me orientim pro-evropian dhe pro NATO dhe u arrit marrëveshja për ndryshimin e emrit.

Gjatë referendumit u pa që forca të shumta tentuan të sabotojnë procesin me të vetmin qëllim që referendumi të dështon. Duke i pas parasysh këto rrethana, ne vendosëm që mos të rrezikojmë procesin integrues të vendit dhe të mos garojmë sa për sy e faqe, por që në rrethin e parë të përkrahet kandidati konsensual me qëllim që të mos vijë në pikëpyetje rrezikimi i procesit. Po të kishte reflektuar opozita shqiptare, ne që në rrethinë e parë do të kishim Presidentin e ri pa mos humbur më tepër kohë”, deklaroi Mexhiti.

Ndërkaq, nënkryetari i BDI-së, z. Nevzat Bejta, potencoi para të pranishmëve që kandidatura e përbashkët e Stevo Pendarovskit është në drejtim me politikat e moderuara pro – evropiane dhe integruese të vendit, si dhe konform politikës së faktorit ndërkombëtar.

“Njëri kandidat nuk i njeh ndryshimet e fundit në vend dhe ndjek politikat destruktive që nxiten nga Rusia në vendet e Ballkanit perëndimor. Tjetri kandidat i cili është shqiptar nuk mund të zgjidhjet president, por vetëm mund të pengon procesin duke i shërbyer VMRO-DPMNE-së. Kemi kandidatin e përbashkët konsensual i cili përkrahet nga partitë pjesëmarrëse në Qeveri i cili deklaron hapur për mbështetje të politikave pro – perëndimore. Ishte durimi dhe largpamësia e liderit, z. Ali Ahmeti që pas një procesi të gjatë sot një nga tre postet kryesore të shtetit të drejtohen nga një shqiptar. Që sot Qeveria dhe Parlamenti të flasin shqip. Me presidentin konsensual, edhe presidenca do të frymon shqip”, tha Bejta.

Të pranishmëve në këto tubime ishin edhe nënkryetari i BDI-së, z.Sadulla Duraku, deputetja e zonës, zonj. Mirsade Asani Emini, zëvendësministrja e financave, zonj. Shiret Elezi si dhe funksionarë tjerë partiak.

Marketing