BDI në Tearcë: Mbështetja e kandidatit konsensual në dobi të të gjithë qytetarëve në vend

Bashkimi Demokratik për Integrim fushatën e vet në kuadër të zgjedhjeve presidenciale gjatë ditës së djeshme e ka patur të caktuar në komunën e Tearcës ku anëtarët e SHQZ në fjalimet e tyre potencuan se me votën e dhënë ndaj kandidatit konsensual, do ti thuhet ndal kthimit pas proceseve euro-integruese dhe aderim në NATO dhe BE dhe me këtë  do të ngadhënjej konsensualiteti si koncept i politikbërjes së shqiptarëve.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti para banorëve të komunës së Tearcës  tha se mbështetja e  kandidatit të përbashkët jo vetëm që shkon në dobi të qytetarëve shqiptarë por të të gjithë qytetarëve dhe në radhë të parë për vet shtetin dhe se ky shtet ka të ardhme vetëm me bashkëpunim të mirë dhe transparente në mes dy partive që kanë legjitimitetin.
 
“Nuk duhet ti lodhim njerëzit me patriotizma pa mbulesë, iku ajo kohë dhe se sot është koha e materializimit, koha e instalimit të vlerave,  sundim të së drejtës, reforma në gjyqësi,ekonomi të përparuar, arsim më cilësor, shëndetësi dhe shërbime më cilësore, administratë publike e shtetërore më të përgatitur pasi vetëm kështu shkohet në Evropë. Nuk parandalohet migrimi dhe ambiciet për një jetë më të mirë nëse ne merremi me fraza boshe, me patriotizma që i ka ikur koha. Nëse duam që të jetojmë në këtë vend e të punojmë, të instalojmë dhe të punojmë për këto vlera pasi Evropën e kemi tek dera,” u shprehë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Shefi i shtabit zgjedhor në nivel qendror për zgjedhjet presidenciale, Izet Mexhiti potencoi në këtë situatë kështu delikate kur vrapohet për një apo dy deputet për të mbajtur shumicën e brishtë të Qeverisë do të ishte e tepër që të bëhen akrobacione politike andaj dhe u vlerësua që me daljen e kandidatit shqiptar gjasat janë minimale për tu futur në rrethin e dytë dhe aspak për të fituar postin e presidentit të shteti.
 
“Ne nuk e komplikuam këtë situatë dhe dhamë kontribut që të zgjidhet një kandidat për president i cili do të jetë i përbashkët, do të ketë mbështetjen e dy subjekteve më të mëdha në Qeveri të LSDM-së dhe BDI-së, president i cili që tani thotë se do të ketë në kabinet edhe shqiptarë, do të ketë në përfaqësi diplomatike edhe shqiptarë, president i cili më shumë se kandidati shqiptarë fletë më shumë për Marrëveshjen e Ohrit dhe frymën e kësaj Marrëveshje, flet hapur se do të zbatoj Ligjin e Gjuhës Shqipe me përpikshmëri dhe se prioritet mbi prioritet e ka anëtarësimin në NATO dhe BE dhe këtu  nuk dallojmë në synimet tona andaj vendosëm që ti japim mbështetje që në rrethin e parë,” theksoi në fjalimin e tij  Mexhiti.
Thirrjes që të votohet kandidati i konsensual me 21 prill të këtij muaji  nga Komuna e Tearcës bëri edhe  Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu i cili  u shprehë se qytetarët shqiptarë dhe gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të të përkrahin parimin e konsensualiteti.