BDI takim me OEMVP-në

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti së bashku me zv/kryeministrin për Cështje Evropiane Bujar Osmani ministrin e Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ministrin e obliguar për përmirësimin e klimës investuese për ndërmarrjet vendore Hisen Xhemaili, ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, me zëvendës ministren e financave Shiret Elezi, deputetin Artan Grubi dhe funksionarë të tjerë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim sot realizuan takim me Odën ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.
Përfaqësues të OEVMP-së prezantuan Platformën për zhvillim ekonomik të Maqedonisë, që parasheh politikat prioritare në formë të masave të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Parimet e Platformës së OEVMVP-së rreth temave aktuale që tangojnë vendin ishin edhe pikat kryesore të diskutimit të sotëm.
Kryetari i OEVMP-së Nebi Hoxha theksoi se ky format do të jep kontributin e vet. Ai në emër të Odës shpalosi në mënyrë të detajuar kërkesat dhe vërejtjet e Odës për tema të ndryshme aktuale në vend mes tjerave edhe për Kodrën e Diellit, zonën e Vizbegut, Autostradën Shkup-Bllacë dhe të ngjashme. Mes tjerave Hoxha shprehu falënderim publik pasi që nga 69 kërkesa të tyre të deleguara në Qeveri një pjesë e madhe prej tyre janë shqyrtuar.

Marketing

“Në prag të periudhës parazgjedhore si praktikë dhe traditë e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore mbajtëm takimin konsultativ me Bashkimin Demokratik për Integrim. Vet fakti që sot kemi prezent edhe kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim zotëri Ali Ahmeti flet që është koha që të jemi të fokusuar në ekonominë dhe zhvillimin e vendit tonë. Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore me theks të veçantë në afatin parazgjedhor gjithmonë prezanton Platformën Ekonomike Të Maqedonisë Veriperëndimore, të Maqedonisë Veriore dhe në këtë kontekst fokus i veçantë është funksionimi i ligjit të së drejtës., zhvillimi i barabartë rajonal, transparenca dhe llogaridhënia dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm në periudhën e mandatit katërvjeçar. Sot në këtë takim diskutuam në lidhje me prioritetet që janë për vendin tonë. Ne si Odë Ekonomike në vazhdimësi por edhe në strategjinë tonë kemi bashkëpunimin dhe dialogun me të gjitha partitë politike dhe me shpresë që partia që do të jetë pjesë e Qeverisë do vazhdon bashkëpunimin dhe do të kemi një fokus të veçantë në ekonominë e vendit” theksoi Hoxha.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti në vazhdën e takimit theksoi se pa politika stabile nuk mund të ketë as ekonomi të përparuar. Kryetari Ahmeti deklaroi se vazhdimisht krijojmë politika që krijojnë stabilitet. Ai theksoi se vendi ka kaluar kriza të shumta dhe se anëtarësimi i vendit në strukturat euroatlantike sjell stabilitet edhe në rajon por njëkohësisht krijon klimë pozitive edhe për biznesin sepse investitorët duan të kenë stabilitet.

“Ishte kënaqësi takimi me Odën Ekonomike me çka për çështje substanciale nuk ka dallime mes Odës dhe Programit ekonomik të Bashkimit Demokratik për Integrim. Edhe një herë apelova tek Oda për komunikim, për bashkëpunim, për ide në të gjitha fushat që kanë të bëjnë me zhvillimin e vendit kështu që mbetet që të gjitha çështjet që janë ngritur të integrohen brenda një programi të dakorduar nga palët dhe unë bëra premtimin që do të bëjmë përpjekjet maksimale që të gjitha gjërat mos të mbesin në letër dhe të zverdhen nëpër arkivat e partisë dhe të Odës por, të zbatohen dhe të realizohen në dobi të shoqërisë, zhvillimit dhe përparimit. Do të thotë janë ngrit tema shumë domethënëse, shumë përmbajtësore që të gjitha mundësitë janë që ato edhe të jetësohen dhe të materializohen” nënvizoi kryetari Ahmeti.

Si parime themelore të Platformës janë nënvizuar: Transparenca dhe llogaridhënia, zvogëlimi i zhvillimit të pabarabartë rajonal ekonomik, ulja e papunësisë, krijimi i një strategjie afatgjate për rritje ekonomike të qëndrueshme dhe rritja e BPV-së mbi 4% në katër vitet e ardhshme.

Marketing