BDl bën gati ekipin për negociata qeveritare. Ja kush do ta udhëheqë

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) tashmë ka filluar të formojë ekipin negociues për qeverinë e ardhshme, njoftojnë burime partiake.

Marketing

Siç thonë këto burime për Gazetën Lajm, ekipin negociues të BDI-së, pritet ta udhëheqë Fatmir Besimi, shef i shtabit të përgjithshëm zgjedhor të partisë në zgjedhjet e fudnit.

Gjatë formimit të ekipit do të mbahet llogari që aty të përfshihen kuadro partiake që e flasin mirë maqedonishten, kështu që pjesë e ekipit mund të jenë Artan Grubi, ose Bujar Osmani, edhe pse përkrahje më të madhe në degën e Çairit ka Izet Mexhiti.

Një përfaqësues në negociata do të ketë edhe Kumanovë-Likovë, por nuk dihet nëse do të jetë Sadulla Duraku, ose Arbër Ademi.

“Po mendohet edhe varianti që përbërja e ekipit negociator të jetë e ndryshueshme me rotacion varësisht nga temat që bisedohen, e jo me anëtarë të njëjtë”, theksojnë burime në BDI të afërta me Gazetën Lajm.

Ekipi negociator i BDI-së do të zhvillojë negociatat kryesisht në nivel teknik dhe kadrovik, kurse për shkak të situatës së komplikuar pas zgjedhore, gjatë tërë kohës në negociata në mënyrë direkte dhe indirekte do të jetë i kyçur edhe kryetari i partisë Ali Ahmeti, thonë në BDI.

Marketing