BE bën thirrje për përmbajtje pas vizitës së Thaçit në Ujman

Bashkimi Evropian tha se është në kontakt me të gjithë aktorët relevantë, pas reagimeve që shkaktoi vizita e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të shtunën nëLiqenin e Ujmanit, në veri të Kosovës.

Marketing

Thaçi tha se vizita e tij atje, me përcjellje të policisë, ishte “rutinore” dhe “krejt normale”, por autoritetet në Serbi thanë se Policia e Kosovës ka marrë nën kontroll Liqenin dhe hidrocentralin e Ujmanit dhe se ka arrestuar disa serbë.

Këto pretendime, megjithatë, u hodhën poshtë nga zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e Mitrovicës Veriore, Besim Hoti.

“Ne, si gjithmonë, llogarisim te të gjitha palët që të reagojnë me qetësi dhe përmbajtje”, tha Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Më herët, edhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, bëri thirrje për qetësi.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi se do t’i drejtohet kombit të shtunën, në orën 21:00.