BE dhe Britania e Madhe përfundojnë procedurat e fundit për divorc

Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian përfunduan procedurat e fundit para ndarjes së tyre.

Marketing

Presidentët e institucioneve evropiane nënshkruan sot marrëveshjen e divorcit dhe ia transmetuan Parlamentit Evropian për ratifikimin më 29 janar, akti i fundit në kuadër të finalizimit të shkëputjes nga një union i bashkuar.

“Ne kemi nënshkruar me Charles Michel marrëveshjen për daljen e Britanisë së Madhe nga BE duke i hapur rrugën ratifikimit të saj nga Parlamenti Evuropian”, njoftoi sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në një mesazh në Twitter.

Negociatori i BE-së, francezi, Michel Barnier mori pjesë në këtë nënshkrim të organizuar me dyer të mbyllura, herët në mëngjes, në selinë e Këshillit Europian në Bruksel, pas rikthimit nga Jerusalemi të dy drejtuesve sepse Charles Michel u nis disa orë më pas për në Tiranë.

Marrëveshja do t’i dërgohet Londrës për t’u nënshkruar nga kryeministri Boris Johnson.

Ajo më pas do të kthehet në Bruksel dhe një kopje do t’i dërgohet Londrës. Origjinali do të ruhet në arkivat e BE-së me traktatet e tjera ndërkombëtare.

Marrëveshja do të paraqitet në Parlamentin Evropian më 29 janar për ratifikim./ATSH/

Marketing