BE drejt reformimit, Gjermania vjen me propozime

Reduktim i burokracisë dhe fleksibilitet. Këto janë dy shtyllat e propozimit të kryetares së CDU-së Annegret Kramp-Karrenbauer për reformimin e Bashkimit Europian.

Konceptin e saj, zëvendësuesja e Angela Merkel në krye të Unionit kristian-demokrat e paraqiti pas propozimeve te fundit te presidentit francez Emmanuel Macron që kërkon një sërë ndryshimesh, për të mbrojtur siç thotë, të ardhmen e BE-së.

Karrenbauer iu përgjigj me përfytyrimin e saj për reformën. Nё radhë tё parё ajo sugjeron sigurimin e bazave të mirëqenies europiane dhe flet ndër të tjera për krijimin e një “tregu të brendshëm pёr bankat”.

Ajo pretendon po kështu që të hiqet selia e dytë e Parlamentit Europian nё Strasburg – gjë që është e papranueshme për Francën. Po ashtu nёpunёsit e BE-sё, sipas lideres së CDU-së, nuk duhet të vazhdojnë të jenë të përjashtuar prej tatimit mbi të ardhurat.

Kramp-Karrenbauer as qё nuk e përmend fare një buxhet të Eurozonës, një projekt prej kohësh ky i preferuar nga Macron. Por ajo që përfytyron politikania gjermane është një buxhet investimesh i BE-sё pёr hulumtime të përbashkëta, zhvillim dhe teknologji.

Macron para pak ditёsh propozoi një autoritet europian pёr azilin dhe një bankë europiane pёr klimën, e cila tё financojё kthesën ekologjike, ide kjo ndaj së cilës, qeveria gjermane fillimisht reagoi me rezervë.

evn