Bashkimi Evropian (BE) do të shtojë më shumë të dhëna në bazën e të dhënave të azilkërkuesve dhe migrantëve të paligjshëm, raporton Anadolu Agency (AA).

Parlamenti Evropian përmes një kumtese konfirmoi se bashkë me Këshillin e Evropës u pajtuan për të përforcuar sistemin EURODAC, i cili bën ruajtjen e të dhënave të aplikuesve të azilit dhe migrantëve të paligjshëm.

Siç bëhet e ditur, tashmë në bazën e të dhënave të aplikuesve të azilit dhe migrantëve të paligjshëm do të përfshihen shenjat e gishtërinjve, forografi të pasaportave dhe të dhëna tjera alfanumerike, përfshirë emrin, kombësinë dhe numrin e pasaportës.

Mosha për marrjen e shenjave të gishtërinjve dhe pamjeve të fytyrës të personave të mitur, ulet nga mosha 14 vjeçare në moshën 6 vjeçare, ndërkohë që do të mund të përdoret edhe “masa proporcionale e shtrëngimit” për të marrë shenjat e gishtërinjve ose fotografitë nga pasaportat e fëmijëve.

“Me bazën e re të të dhënave, Europoli do të jetë në gjendje të hulumtojë bazën e të dhënave në mënyrë më efikase për të zbuluar për qëllime të parandalimit, terrorizmin dhe krimet tjera të rënda”, thuhet mes tjerash në njoftim.

“Standardet e dyfishta të BE-së”

Përfaqësues të disa OJQ-ve, identifikimin e migrantëve të paligjshëm dhe azilkërkuesve e kanë cilësuar si “standard i dyfishtë i BE-së”.

Vitin e kaluar, Gjykata Evropiane e Drejtësisë, vendosi se Kanadaja nuk mund të ruajë të dhënat personale të vizitorëve që vijnë nga BE-ja.

Urdhëri i gjykatës tha se të dhënat personale dhe biometrike të vizitorëve nga BE-ja, do të duhet të fshihen pas largimit të tyre nga Kanadaja.