Bekteshi: Efektet e dyerve të hapura të NATO-s do të ndjehen edhe në sektorin e turizmit

Me një urim drejtuar qytetarëve të Republikës së Maqedonisë me rastin e nënshkrimit të protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi filloi konferencën për shtyp, duke prezentuar masat dhe aktivitetet e përfshira në Programin për zhvillimin e turizmit për këtë vit.

Marketing

“Efektet e dyerve të hapura të NATO-s tashmë kanë filluar të ndjehen dhe bashkimi me familjen e NATO-s do të sjellë më shumë përfitime për vendin tonë. Në turizëm, si një nga fushat me rritje më të shpejtë ekonomike, kemi arritur të realizojmë sukses të shkëqyeshëm – në vend të 2020, qëllimin tone të shtruar e kemi arritur që në 2018 – duke tejkaluar numrin prej 1 milion turistësh, me 3 milion fjetje. Hyrja e Maqedonisë në NATO do të thotë edhe heqje e pengesës së fundit që është përmendur shpesh nga turistët e huaj që kanë anashkaluar vendin tonë, dhe kjo është çështja e sigurisë më të madhe. Këtu do të shtoja edhe rritjen e investimeve në infrastrukturën e turizmit, të cilat me siguri do të kontribuojnë në zhvillimin edhe më intensiv të sektorit të turizmit, “u shpreh ministri Bekteshi.

Ai përkujtoi se gjatë viteve të fundit , Qeveria e Republikës së Maqedonisë si një nga prioritetet kryesore për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të vendit ka pasur Turizmin dhe të gjitha masat që janë ndërmarrë për të arritur këtë zhvillim kanë dhënë rezultate pozitive:rritje të vazhdueshme të numrit të turistëve të huaj dhe të turistëve në përgjithësi por paralelisht me këtë kemi edhe rritje edhe në numrin e fjetjeve.Sipas të dhënave të BPRM-së (Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë) fluksi i valutës në vitin e fundit krahasuar me vitin e kaluar është rritur me rreth 20%. Numri i turistëve në vitin 2018 krahasuar me vitin 2017 është rritur me 14.2% ndërsa numri i netëve të realizuara është rritur për 15.0%. Numri i përgjithshëm i turistëve vendas në vitin 2018 krahasuar me vitin 2017 është rritur me 15.1%, ndërsa numri i turistëve të huaj është rritur me 13.8%.

“Ajo që është dhe më e rëndësishme kemi shkallë në rritje sa i përket edhe punësimit në këtët industri. Vitin e kaluar, në sektorin e turizmit janë punësuar rreth 8.250 vetë, ndërsa pritjet për këtë vit janë që ky numër në këtë sekto të rëndësishëm të arrijë në 10.000, që do të thotë se punësimi i përgjithshëm në vend do të arrijë shifrën prej 1,9%. Së bashku me aktivitetet që ndërlidhen me turizmin në vendin tonë, janë punësuar edhe 28,569 punonjës tjerë dhe kjo shifër arrin 3.78% të numrit të përgjithshëm të punonjësve të regjistruar në vitin 2018. Projektimet tregojnë se kjo shifër këtë vit do të ketë rritje të dukshme dhe do të arrijë shifrën prej 35,000 punonjësve që do të angazhohen në këtë sektor, duke pritur që deri në 2024 kjo shifër të jetë rreth 40,000 punonjës theksoi ministri Bekteshi n duke shtuar se pjesmarrja e turizmit në Bruto Prodhimi Vendor (BPV) në tremujorët e parë të vitit 2018, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017,shënon rritje prej 2.9% ndërsa synimi ynë është që deri në 2020 të ardhurat e PBV-së nga turizmi të arrijnë deri në 5% . Rritja në këtë sektor është 2 deri në 3 herë më e madhe se rritja mesatare e turizmit në botë.

“Aktivitetet tona për zhvillimin e turizmit për vitin 2019 i kemi sistemuar në Programin e Zhvillimit të Turizmit për 2019, për të cilin program nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë kemi siguruar mjete financiare në vlerë prej 36,000,000 denarë. Me këtë Programë kemi paraparë 21 aktivitete, të ndara në 3 pjesë. Në pjesën e parë, për të cilën kemi siguruar mjete në vlerë prej 5.500.000 denarë, kemi përfshirë aktivitete ndërkombëtare që ndërlidhen me anëtarësimin në Organizatën Botërore të Turizmit ,derisa në pjesën e dytë kemi paraparë Projekte që drejtpërdrejt do të ndikojnë në përmirësimin e ofertës turistike të Republikës së Maqedonisë si destinacion turistik, siç janë përpunimi i ,,Brend Strategjisë “për Turizmin, aktivitete të ndryshme për turizmin rural, kulturor dhe aktiv, Studime për verëra dhe SPA turizmin, studime për objektet e pashfrytëzuara por që do të jenë tërheqëse për investitorët, aktivitete të ndryshme ECO, fushatë për të pastruar mbeturinat në qendrat turistike, fushatë për të udhëtuar të sigurt në bashkëpunim me Ministrinë e punëve të Brendshme, tha Bekteshi duke shtuar se për këto aktivitete janë ndarë mjete prej 17.000.000 denarë.

Në pjesën e tretë të Programit përfshihen aktivitete për mbështetje dhe subvencione për përmirësimin e ofertës turistike në Maqedoni,me çrast bizneset do të kenë në dispozicion një buxhet prej 13.5 milionë denarë. Duke theksuar qëllimin e mjeteve Bekteshi u shpreh se: ”Këto mjete do të mund të përdoren nga Komunat për të krijuar strategji lokale për turizmin, për mbështetje mund të aplikojnë organizatorët e ngjarjeve turistike dhe projekteve, si dhe studentët të cilët kanë ide biznesi për turizëm por subvencione kemi paraparë edhe për familjet rurale që do të ofrojnë shërbime hotelierike . Në listë këtë vit kemi edhe projektet në fushën e inovacionit dhe digjitalizimit në turizëm , si dhe aktivitetet që lidhen me turizmin aktiv dhe sportet me adrenalin si trende botërore”.

Edhe këtë vit do të vazhdojmë me zbatimin e Programit për mbështetje të turizmit vendor, duke organizuar pushime për punëtorët me të ardhura të ulëta, për të cilat kemi siguruar 20.000.000 denarë me çrast personave që nuk tejkalojnë të ardhurat mujore neto prej 22.000 denarë në muaj,u mundësohet të realizojnë pushimet e tyre vjetore në ndonjërën prej qendrave tona turistike, duke ndihmuar njëkohësisht edhe qendrat turistike për të shtuar punën e tyre jashtë sezonit turistik.

Marketing