Bekteshi: Është shpallur Thirrja publike,kompanitë që kanë investuar gjatë kohës së pandemisë do të marrin 20 milion euro

Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri informoi se është publikuar Thirrja publike për mbështetje financiare për forcimin e konkurrencës së subjekteve afariste në periudhën post Covid 19.

Marketing

„ Në tre muajt e fundit, Qeveria ka miratuar tri Pako të masave ekonomike për mbështetje të kompanive dhe qytetarëve të prekur nga kriza e pandemisë. Përmes këtyre masave, ne u dhamë mbështetje kompanive që pasuan më shumë dëme nga kriza e shkaktuar nga Koronavirusi që të mbeten likuide dhe të paguajnë pagat për punonjësit. Përmes Bankës për Zhvillim të Maqedonisë së Veriut, deri më tani kemi ofruar kredi pa interes në vlerë prej 12.6 milion euro për 1,331 ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme, në të cilat punojnë 16.632 të punësuar.Përmes masës për pagimin e pagës minimale prej 14.500 denarë, është siguruar mbështetje për 21.215 kompani dhe 5,579 kryerës të veprimtarive për muajin prill dhe për 20,507 kompani dhe 5,579 kryerës të veprimtarive për muajin maj, ndërsa javën e kaluar kemi vendosur që të vazhdojmë këtë masë edhe për pagimin e pagës së qershorit.Por jo vetëm kompanitë. Në Pakon e tretë të masave, ne gjithashtu siguruam mbështetje për qytetarët duke lëshuar kartela pagesore dhe vauçerë për turizëm. Kartelat tashmë po mbërrijnë nëpër adresat e qytetarëve të përfshirë nga kjo masë dhe do të merren nga të gjithë deri më datën 18 të muajit të ardhshëm. Vetëm vlera e masave nga Pakeoja e Tretë është 355 milion euro dhe  do të mbulojnë 730,000 përdorues, deklaroi Bekteshi.

 

Sipas ministrit, përveç kompanive dhe qytetarëve më të prekur në Pakon e tretë të masave ekonomike, ne gjithashtu siguruam mbështetje për ato kompani që ishin të guximshme dhe të cilat edhe përkundër krizës ekonomike investuan. Për këto kompani në Pakon e tretë të masave janë paraparë 20 milion euro si ndihmë shtesë shtetërore, për çka edhe është shpallur thirrja publike për ndihmë financiare për forcimin e konkurrencës të subjekteve afariste në periudhën post korona.

Qëllimi kryesor  i kësaj mase, është tu ndihmohet kompanive  që do të humbasin tregjet për ti rifituar ato – rritjen e konkurrencës së tyre, modernizimin e proceseve, rritjen e produktivitetit me çka do të mirëmbahen sipërmarrjet afariste që do të kontribuojnë në rimëkëmbien e ekonomisë në vend, përmes realizimit të një projekti investimesh në periudhën post kovid nga korriku deri në dhjetor të vitit 2020.

Për këtë ndihmë financiare mund të aplikojnë kompanitë të cilat gjatë vitit 2020, kanë në realizim e sipër një projekt investimi, punojnë në sektorët prodhues që janë definuar si prodhimtari ,përveç atyre që përjashtohen nga kjo mundësi në përputhje me Ligjin për kontrollin e ndihmës shtetërore, subjektet afariste që kryejnë veprimtari tregtare, nëse investojnë në mjetet themelore, kryejnë veprimtari në fushën e shërbimeve të informacionit dhe komunikimit, nëse investimi përfshin krijimin e një njësie të re organizative për zhvillimin teknologjik, hulumtimin dhe/ose zhvillimin e një zgjidhje të re softuerike ose harduerike, theksoi ministri.

Duke pasur parasysh që qëllimi i kësaj mase është të ndihmojë kompanitë që kanë investuar në rritjen, zhvillimin, përmirësimin e konkurrencës dhe pushtimin e tregjeve edhe gjatë kohës së pandemisë, me këtë masë NUK PËRFSHIHEN KOMPANITË QË:

– kanë treguar rezultat financiar negativ në vitin 2019;

– kryejnë veprimtari në fushën e bujqësisë parësore, pylltarisë dhe peshkimit;

–  kryejnë veprimtari ndërtimi që kanë të bëjnë me ndërtimin dhe shitjen e apartamenteve dhe ndërtesave të banimit dhe të biznesit për pjesën e aktivitetit ndërtimor dhe shitjen e apartamenteve, ndërtesave të banimit dhe afarizmit;

– punojnë në industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut;

–  mbështeten nga masa dhe mekanizma të tjerë për mbështetje të sektorëve të veçantë (siç janë sektori bankar, shërbimet financiare, etj.);

– kryejnë veprimtari me interes publik të përcaktuara me ligj;

– kryejnë veprimtari të licencuar;

– kryejë veprimtari të rregulluar, çmimi i të cilit përcaktohet nga një organ rregullator i pavarur;

– janë përdorues të të drejtës së koncesioneve në të mirë të interesit të përgjithshëm;

– të cilët kryejnë veprimtari në lidhje me prodhimin e dedikuar (armatime dhe pajisje ushtarake);

– prodhojnë mallra të akcizës, përveç mallrave të akcizës të destinuara për qëllime laboratorike farmaceutike, mjekësore dhe industriale dhe

– kryejnë veprimtari tregtare (me pakicë dhe shumicë), përveç nëse investojnë në mjete themelore dhe objekte.

„ Shuma e ndihmës financiare është 25% e investimit të realizuar sipas planit të investimit që do ta dorëzojë aplikanti, por jo më shumë se 40,000 euro për kompanitë që kanë realizuar të ardhura totale në vitin 2019 jo më shumë se 1.000.000 euro, deri 100,000 euro për kompanitë që kanë realizuar të ardhura totale në vitin 2019 nga 1.000,001 euro deri në 10,000,000 euro, deri 140,000 euro për kompanitë që kanë realizuar të ardhura totale në vitin 2019 nga 10,000,001 euro deri në 50,000,000 euro, dhe 200,000 euro për kompanitë që kanë realizuar të ardhura në vitin 2019 më shumë se 50,000,000 euro.

Kompania që do të marrë ndihmë financiare është e detyruar të dorëzojë një Raport deri më 31.01.2021 për rrjedhën e realizimit të planit të investimit me dëshmi se është realizuar brenda planit të investimit për të cilin është paguar mbështetja financiare. Mjetet do të merren në momentin kur do të zbatohet plani financiar, dhe pritet të realizohet deri në fund të vitit të ardhshëm, ceku Bekteshi.

Nëse subjekti afarist nuk arrin të kryejë investimin ose nuk arrin të dëshmojë një minimum prej 80% të vlerës së investimit, ai duhet të kthejë mjetet jo më vonë se 01 mars 2022.

Marketing