Bekteshi në takim me përfaqësuesit e sektorit të turizmit dhe hotelierisë

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi gjatë ditës së sotme në hapësirat e Ministrisë së Ekonomisë realizoi një takim pune me përfaqësuesit e sektorit të turizmit dhe hotelierisë. Në takim i pranishëm ishte edhe drejtori i Agjencisë për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit Ljupço Janevski.
Tema kryesore të takimit ishin situata aktuale e sektorit të turizmit dhe hotelierisë, masat e ndërmarra nga Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria për balalfaqimin me krizën e shkaktuar nga Covid 19 dhe problemet me të cilat përballet ky sektor.
Ministri Bekteshi informoi përfaqësuesit e Odave turistike dhe hotelierike për realizimin e masave të miratuara për mbështetje të këtij sektori.
Bekteshi informoi se që nga fillimi i krizës shëndetësore dhe ekonomike, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë në mbështetje të sektorit të turizmit dhe hotelierisë janë miratuar disa dekrete. Mes tyre janë Dekreti me fuqi ligjore për lëshimin e vauçerëve për agjencitë e udhëtimit, pastaj Dekreti për zgjatjen e afatit të vendimit për kategorizimin e objekteve hotelierike gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, Dekret me fuqi ligjore për zgjatjen e afatit të licencës për objektet hotelierike kabare,disko klubeve dhe bareve të natës si dhe Dekreti me fuqi ligjore për lëshimin e kuponave prej 6,000 denarëve për punëtorët me të ardhura të ulëta dhe kartelën pagesore prej 3,000 denarëve për turizmin vendas.
Ministri po ashtu informoi se është përgatitur Programi për Subvencione për bashkëfinancim të konferencave dhe ngjarjeve në vlerë prej 50% dhe më së shumti deri në 30,000 denarë, si dhe Dekreti i cili lehtëson kushtet për kategorizimin e objekteve hotelierike për akomodimin e individëve dhe uljen e numrit të komisionit për kategorizimin nga 13 deri në 5 anëtarë me përfshirjen e një anëtari të sektorit privat.
Përfaqësuesit e sektorit të turizmit dhe hotelierisë theksuan se për momentin është e nevojshme të miratohen protokole për funksionimin e hoteleve, për të cilat Ministria e Ekonomisë do të dorëzoj rekomandimet nga Komisioni Evropian deri tek Komisioni për Sëmundje Infektive për miratimin e të njëjtave.
Disa nga kërkesat e sektorit të turizmit dhe hotelierisë janë hapja e auto-kampeve si dhe sjellja e një protokoli për funksionimin e tyre, hapja e plazheve, si dhe lokaleve për dasma dhe këndeve për lojëra.
Ministri i Ekonomisë dërgoi porosi deri tek sektori i turizmit dhe hotelierisë se masat e ndërmarra nga Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria për të ndihmuar sektorët më të prekur do të vazhdojnë të zbatohen për sa kohë që zgjat kriza. Ai theksoi se Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria monitorojnë vazhdimisht situatën në këtë sektor dhe çdo aktivitet synon rimëkëmbjen dhe ndihmën për fushat më të prekura të ekonomisë.

Marketing

Marketing