Bekteshi: Për shfrytëzim të masave ekonomike aplikuan 19 mijë kompani dhe 10 mijë qytetarë

Mbi 19 mijë kompani kanë parashtruar kërkesa për shfrytëzim të masës së përkrahjes financiare për pagesën e rrogave të muajve prill dhe maj, në vlerë prej 14500 denarësh. Afati për aplikim përfundon më 7 maj në orën 24, deri kur pritet të rritet numri i aplikimeve, vlerëson ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Marketing

“Deri para se të fillojë press konferenca kishim mbi 19 mijë aplikime nga kompanitë. Përveç aplikimit të kompanive dhe kërkesave të dorëzuara në Byronë e të Hyrave Publike, është me rëndësi të theksohet fakti se kemi mbi 10.000 aplikime nga të vetpunësuarit, që është dëshmi shtesë se masat japin rezultate të duhura dhe janë masa që janë krijuar në përputhje të plotë me kërkesat e odave ekonomike dhe nevojat e punëtorëve në RMV.”,- deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Ai njëherit sqaroi se në pjesën e përkrahjes së zejtarëve është e hapur thirrja publike për subvencionimin e harxhimeve për angazhimin e çirakëve, pasi një kërkesë e tillë ishte parashtruar nga Oda e Zejtarëve. Thirrja publike për këtë masë do të jetë e hapur deri më 30 korrik.

“Sa u përket masave për zejtarët dhe stimulimin e zejtarisë në RMV, kemi mbi 50 kompani apo zejtarë që kanë përfituar nga masat, por njëkohësisht ka masa të cilat janë në realizim e sipër, andaj i ftoj të gjithë zejtarët që të aplikojnë në Ministrinë e Ekonomisë dhe t’i shfrytëzojnë këto masa.”,- u shpreh Bekteshi.

Sa i përket mundësisë së hapjes së kafeneve dhe restoranteve, ministri Bekteshi tha se është formuar një grup pune dhe në konsultim me odat që e përfaqësojnë këtë sektor, qeveria, në bazë të rekomandimeve të Komisionit për Sëmundje Infektive dhe Ministrisë së Shëndetësisë, pritet që së shpejti të sjellë vendim. Por, Bekteshi nuk saktësoi se kur kjo pritet të ndodhë.

Marketing