Bekteshi: Projektet për gazifikimin po zhvillohen sipas dinamikës së planifikuar

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi paralajmëroi se për një kohë të shkurtër do të publikohet thirrje për partneritet publiko-privat për ndërtimin e rrjetit distribuues të gazifikimit në qytetet ku kalon gazifikimi.

Marketing

“Projektet për gazifikimin për momentin realizohen në pajtim me dinamikën e paraparë, ka realizim të mbi 70 për qind edhe në krahun nga Shkupi në Tetovë, nga fundi është me krahun deri në Manastir, ndërsa deri në Negotinë ka përfunduar. Për momentin si Ministri dhe si Qeveri, po punojmë t’i bashkojmë rajonet, ndërsa për një kohë të shkurtër do të publikojmë edhe thirrje publike ku të gjitha palët e interesuara përmes partneritetit publiko-privat do të mund të aplikojnë dhe të fillojnë ta ndërtojnë rrjetin distribuues nëpër qytetet ku kalojnë”, tha Bekteshi në “Top Tema” në Televizionin Telma.
Ai beson se infrastruktura primare do të jetë plotësisht në pronë të shtetit dhe se për rrjetet distribuuese sërish do të pyeten komunat, edhe pse siç thotë, në letrat paraprake kanë marrë përgjigje vetëm nga disa komuna.

“Qëndrimi im si ministër i Ekonomisë është që të shkojë përmes partneritetit publiko-privat duke e pasur parasysh se më shumë komuna nuk kanë kapacitet për ta zbatuar këtë projekt. Ne para disa muajsh u dërguam letër të gjitha komunave, morëm letër kthyese vetëm nga një apo dy komuna që është mjaft joserioze duke e pasur parasysh se bëhet fjalë për njërin prej projekteve më strategjike në vendin tonë”, tha ministri.

Ai tha se për këtë kanë qëndrime të ndryshme me partnerin e koalicionit lidhur me partneritetin publiko-privat me një apo më shumë kompani.

“Në pajtim me studimet e bëra dhe të gjitha analizat përkatëse, ndërsa duke i pasur parasysh edhe kapacitetet që i kanë komunat, nuk është proces i lehtë të ndërtohet rrjet distribuues nëpër komunat ku duhet të përfshihen të gjitha amvisëritë dhe jo vetëm institucionet publike ose industria”, tha ai.

Shtoi se do të vazhdojnë bisedimet se si të ndërtohet ky rrjet distribuues i cili në disa komuna duhet të jetë deri në 30 40 kilometra.