Bekteshi: Qeveria e përkushtuar në realizimin e reformave në sektorin energjetik

Sot në kuadër të kryesimit të Republikës së Maqedonisë në Këshillin Ministror të Komunitetit Energjetik, në Shkup u mbajtë takimi i 16 i kësaj trupe, ku morën pjesë përfaqësues nga Komisioni Evropian, Sekretariati i Komunitetit Energjetik dhe ministra përgjegjës për ekonominë, energjetikën dhe mjedisin nga vendet nënshkruese të Traktatit të KE-së.

Marketing

Duke falënderuar për diskutimin e frytshëm gjatë takimit të 16 të Këshillit Ministror të KE-së si kryesues, Ministri i Ekonomisë Bekteshi ka theksuar arritjet që janë bërë brenda këtij viti.

Në përputhje me udhëzimet e takimit të fundit ministror dhe në komunikim intensiv me Sekretariatin e Komunitetit Energjetik, kemi përpiluar një Udhëzues për Politikat e Përgjithshme për qëllimet deri në vitin 2030, sa i përket efikasitetit energjetik, burimeve rinovuese të energjisë dhe reduktimin e emetimeve të gazrave serrë, të cilat ne sot i kemi miratuar në Këshillin Ministror u shpreh Bekteshi.

Përveç kësaj, vendet nënshkruese të Komunitetit Energjetik kanë hartuar politika për përdorimin më efikas të burimeve rinovuese të energjisë në mënyrë që të implementohen me sukses politikat e reja të orientuara kah tregu. Gjithashtu, është punuar intensivisht edhe për bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike të vendeve të Ballkanit Perëndimor ndërsa Republika e Maqedonisë ka nënshkruar edhe një Memorandum Mirëkuptimi me Republikën e Bullgarisë.

Këshilli ministror sot gjithashtu ka shqyrtuar të gjitha rastet e hapura të cilat sekretariati i Komunitetit Energjetik i ka adresuar kundrejt shteteve anëtare të cilat kanë dështuar në përmbushjen e obligimeve të Traktatit me çrast ka dënuar edhe Serbinë për mospërmbushjen e obligimeve të Vendimit të Kishillit të Ministrave.
Ky vendim u miratua nga Këshilli ministror dhe obligoi Serbinë që në afat prej 6 muajsh të përmbush të gjitha obligimet që ka ndaj Republikës së Kosovës si anëtare e Komunitetit energjetik, sa i përket shpërndarjes së mjeteve nga alokimi i kapaciteteve të energjisë elektrike ndaj Operatorit të transmisionit në Kosovë.