“Sipas të dhënave të fundit nga Enti Shtetëror i Statistikave, rritja e numrit të turistëve është duke vazhduar, kështu që në vend që deri në vitin 2020-të, siç parashikohej, ne jemi në prag për të arritur qëllimin tonë afatgjatë që të kemi 1 milion turistë dhe 3 milionë bujtje në vit, dhe këtë do ta realizojmë këtë vit”, deklaroi sot Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

Sipas statistikave të fundit, vetëm në qershor të këtij viti, krahasuar me qershorin e vitit 2017-të, u regjistrua një rritje prej 20.7% e numrit të turistëve, ndërsa numri i bujtjeve për 23.4%. Numri i turistëve vendas në qershor të këtij viti, krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, u rrit me 15.9%, ndërsa numri i turistëve të huaj u rrit me 22.4%.

“Duke u shprehur në numra absolutë, vetëm në qershor të vitit 2018 kishte 102.327 turistë në vend, të cilët realizuan 243.175 bujtje dhe deri në fund të qershorit Maqedoninë, këtë vit e kanë vizituar gjithsej 433.361 turistë, me gjithsej 923.855 bujtje”, tha Bekteshi. Në periudhën janar-qershor 2018, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i turistëve u rrit me 16.4%, si më poshtë: numri i turistëve vendas u rrit me 9.3%, ndërsa i atyre të huaj, me 19.8%.

Sipas Ministrit të Ekonomisë, pjesa e turizmit në Bruto Prodhimin Vendor (BPV) pritet të jetë rreth 3%, duke pasur parasysh se projektimi deri në vitin 2020 është 4%, dhe kjo rritje e vazhdueshme e numrit e turistëve do të thotë automatikisht një hyrje më e madhe valutore.

“Kjo është një shenjë se ne po lëvizim në drejtimin e duhur dhe politikat janë shkëlqyeshëm të vendosura. Hyrja e Maqedonisë në NATO do të thotë heqje e pengesës së fundit që është përmendur shpesh nga turistët e huaj, që kanë anashkaluar vendin tonë, dhe kjo është çështja e sigurisë më të madhe. Por, ajo gjithashtu do të thotë rritje e investimeve në infrastrukturën e turizmit, që me siguri do të kontribuojë në zhvillimin e sektorit të turizmit”, theksoi Bekteshi, duke shtuar se vendet në rajon, si pjesë e NATO-s apo të familjes së BE-së, ka ndjerë tashmë rëndësinë e anëtarësimit në drejtim të rritjes dhe zhvillimit ekonomik, duke përfshirë edhe zhvillimin e sektorit të turizmit.