Bekteshi: Së shpejti Likova me zonë të lirë ekonomike

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ai i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Sadulla Duraku dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi, të shoqëruar nga sekretarë shtetëror, deputetët e zonës dhe funksionarë tjerë sot kanë zhvilluar një vizitë pune në Komunën e Likovës.

Marketing

Delegacioni i Qeverisë ka realizuar takim me kreun e komunës së Likovës Erkan Arifi me të cilin kanë biseduar për projektet që realizohen dhe do të realizohen në bashkëpunim me pushtetin qendror.

Ministri Bekteshi gjatë vizitës në Likovë deklaroi se së shpejti do të hapet zona e lirë ekonomike, duke shtuar se investitorët do të mund të investojnë kapitalin e tyre.

“Fillimisht dua të përgëzoj kryetarin e Komunës i cili ka bërë një punë të madh rreth përgatitjes së projekteve duke i dorëzuar në Qeveri dhe ne si Qeveri I mbështesim me të vetmin qëllim që edhe komuna e Likovës në një afat sa më të shkurtë të ketë projekte kapitale të mbështetura nga ana e Qeverisë së RM.

E shfrytëzoj rastin që kryetarin e Komunës e njoftova rreth hapjes së zonës ekonomike në Likovë dhe nëpërmjet mediumeve dua të njoftoj qytetarët e kësaj komune dhe gjithë rrethit se ne si Ministri e Ekonomisë në bashkëpunim me kadastrën me drejtorin e zonave të lira ekonomike jemi duke punuar fuqishëm që së shpejti duhet të vizitojmë komunën e Likovës ku do të fillojnë punimet për hapjen e zonës së lirë ekonomike”, theksoi Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Vizita e ministrit Bekteshi është në vijim të vizitave që u bën të gjitha komunave në vend, ku viziton kompani të suksesshme të mbështetura nga Ministria e Ekonomisë.

Marketing