Bekteshi -Sijarto: Ka perspektiva të mëdha për përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik mes RMV-së dhe Hungarisë

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi morri pjesë në forumin e biznesit maqedono-hungarez që u mbajt sot në Shtip, organizuar nga Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë dhe Oda Ekonomike e Industrisë dhe tregtisë së Hungarisë.
I pranishëm në forum ishte edhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Petar Sijarto.
Në fjalimin e tij drejtuar biznesmenëve vendor dhe hungarezë, Ministri Bekteshi prezantoi prioritetet ekonomike të Qeverisë dhe përfitimet e investimeve në vend në mënyrë që të arrihet dhe ruhet një rritje më e lartë ekonomike dhe të rritet standardi i jetesës së popullsisë.
“Vitin e kaluar, e gjithë bota u përball me pasojat negative të pandemisë kryesisht në ekonomi. Kjo pati një ndikim negativ edhe në ekonominë tonë, e cila e përfundoi vitin me minus 4.5%, duke reflektuar kryesisht tendencat e pafavorshme në të katër tremujorët, si rezultat i përhapjes së Koronavirusit dhe përkeqësimit të mjedisit ekonomik ndërkombëtar. Por, edhe përkundër të gjitha sfidave me të cilat përballemi, mund të them se arritëm të realizojmë atë që u premtuam qytetarëve dhe sektorit të biznesit, tha Ministri Bekteshi dhe shtoi se janë miratuar gjashtë pako të masave ekonomike për të mbështetur qytetarët dhe sektorët më të prekur.
Stabiliteti politik dhe kthimi i besimit tek investitorët pritet të kontribuojnë në rritjen e investimeve private dhe të huaja.Me rimëkëmbjen e ekonomisë globale, ne presim rimëkëmbjen e mëtejshme të kërkesës së jashtme.
“Muajin e kaluar, Qeveria miratoi Planin e Ndërhyrjes së Investimeve 2021-2027, i cili parashikon investime me vlerë prej 8 miliardë eurove. Plani përmban investime publike dhe private që janë në përputhje me strategjitë aktuale dhe të ardhshme për rritjen ekonomike të vendit. Nga këto fonde, 5 miliardë e 791 milion euro janë investime publike, ndërsa 2 miliardë e 384 milion euro janë planifikuar investime private “potencoi Bekteshi.
Në fjalimin e tij drejtuar biznesmenëve, Ministri theksoi se Qeveria, në mënyrë të hapur dhe transparente, u siguron kushte investitorëve të interesuar vendas dhe të huaj në mënyrë që ata të mund të realizojnë pa probleme projektet e tyre të investimeve në Maqedoninë e Veriut përmes Planit për Rritje Ekonomike të miratuar në vitin 2017 .
“Ky plan krijon masa të ndara në tre shtylla, qëllimi kryesor i të cilave është inkurajimi i investimeve, zhvillimi teknologjik dhe ngritja e aftësisë konkurruese të kompanive vendore. Është e rëndësishme të përmendet se viteve të fundit kemi dialog të rregullt me komunitetin e biznesit. Së bashku me Odat e tregtisë dhe shoqatat e tjera të biznesit vendase dhe të huaj mbajmë takime, zgjidhim çështje dhe propozime specifike dhe këshillohemi për politikat që zbatojmë. Gjithashtu, për investitorët në zona, ne kemi parashikuar privilegje tatimore, doganore, infrastrukturore dhe të tjera. Miratimi i Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve stimuloi rritjen ekonomike dhe zhvillimin e vendit, duke mbështetur investimet për të rritur konkurrencën e ekonomisë dhe zhvillimin e tregut të punës duke mbështetur punësimin “, tha Ministri dhe kujtoi se të gjithë investitorët si ata vendas, si ata të huaj të cilët do të investojnë në vend kanë një numër të madh përfitimesh.
“Këtu përfshihen përjashtimet nga doganat dhe TVSH-ja, si dhe përjashtime nga tatimi mbi fitimin për një periudhë 10 vjeçare, 50 për qind përjashtimi i tatimit mbi të ardhurat personale në pesë vitet e para të funksionimit;përjashtimi nga tatimi mbi fitimet e riinvestuara, përjashtimi nga taksat administrative dhe tatimi në pronë. Toka jepet me qira në kushte të favorshme për një periudhë deri në 75 vjet së bashku me objektet infrastrukturore siç janë lidhja falas me gaz, energji elektrike dhe lidhje komunale “, tha Ministri Bekteshi.
Ministri gjithashtu informoi edhe për mundësitë për investime në sektorin e energjisë në vend dhe theksoi se Qeveria ka filluar me realizimin e Agjendës së Gjelbër që do të thotë investime të intensifikuara në burimet e ripërtëritshme të energjisë.
Ministri në fund u bëri thirrje investitorëve hungarezë të cilët ishin të pranishëm në forumin e biznesit që të vijnë dhe të investojnë në Maqedoninë e Veriut, për të cilën do të kenë mbështetje të parezervë nga Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria.
Në kuadër të forumit të biznesit, Ministri Bekteshi realizoi takim bilateral me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Petar Sijarto.
Të dy bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë e tyre për të punuar më shumë në periudhën e ardhshme për thellimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe forcimin e tregtisë dypalëshe, kryesisht duke krijuar kushte të favorshme për investime në energjietikë dhe turizëm.
Hungaria është në listën e 10 partnerëve më të mëdhenj tregtarë të Maqedonisë së Veriut. Tregtia bilaterale midis dy vendeve është rritur në mënyrë të vazhdueshme në vitet e fundit.

Marketing