Bela falë sulmuesit e tij, në vend të hakmarrjes i hapë rrugën vëllazërisë

Të nderuar miq, dashamirë, gazetarë e intelektualë.
Besoj se tashmë jeni të informuar për rastin tim, sulmin që m’u bë ku unë përfundova i plagosur.

Marketing

Pa dashur të futem në detale, dëshiroj të mbaj vëmendjen diku tjetër ku besoj se interesi është më i madh dhe mund të vlerësohet si kontribut i imi ndaj të mirës së përgjithshme.
Ka dy ditë që jam kthyer në shtëpi dhe po marrë shërimin e caktuar nga mjeku dhe falënderoj Zotin që dita ditës po bëhem më mirë. Dua të falënderoj të gjithë miqtë dhe dashamirët që janë shqetësuar, më kanë telefonuar dhe ata të cilët edhe më kanë vizituar gjatë kohës sime në spital.

Nisur nga fakti se unë vij nga një familje, e cila ka inkorporuar brenda vetes vlera të larta morale, patriotike e fetare, dhe duke ditur se përpjekjet e mia fillimisht si student, nëpër luftërat e fundit kombëtare, në sektorin civil dhe në politikë aktive, gjithmonë kanë patur për qëllim kontributin tim (dikund më pak e dikund më shumë) ndaj popullit tim të përvuajtur, tani që ndodhem para një situate tepër sfiduese për mua, dua të vazhdoj të kontribuoj më tej sepse incidentet janë edhe shans për t’u ngritur e mira mbi të ligën dhe shans për të dëshmuar se dimë të rreshtohemi aty ku duhet.

Kur kemi parasysh se populli ynë shumë ka vuajtur nga vëllavrasja, gjakderdhja dhe urrejtja, unë sot, kam vendosur që të FALË plotësisht dhe tërësisht sulmuesit e mi dhe kështu në vend të hakmarrjes, të hap rrugë për vëllazërinë, paqen dhe respektin për njëri tjetrin madje edhe në situata të këtilla. Deklaratën time e jap me vetëdëshirë, i pakushtëzuar dhe i pandikuar nga askush dhe nga asgjë dhe lutem që e njëjta të kuptohet pa asnjë prapavijë.

Na pret shumë punë përpara prandaj rastet e këtilla s’duhet të na ndalin hovin.
Nga zemra uroj më të mirën për popullin tim dhe bijtë e tij.
Me respekt,
Valon Bela

Marketing