Në shtëpi duan të kthehen me medalje nga Kampionati Botëror, ani pse kjo nuk do të jetë e Artë. Belgjika dhe Anglia sot nga ora 16:00 do të luajnë në ndeshjen e tyre të fundit në këtë botëror, atë për vend të tretë.

Ky takim është i vështirë për të dy skuadrat, të cilat ishin vetëm një ndeshje larg finales së madhe të Moskës, transmeton Gazeta Express.

Belgjika u mposht me rezultat minimal 1:0 nga Franca në gjysmëfinale, me golin e Umtitit, ndërsa eliminimi i Anglezëve ishte më i dhimbshëm, pasi ishin në epërsi deri në minutën e 69, por më pas pranuan gol për të shkuar në vazhdime, ku pranuan edhe një gol tjetër, për t’u eliminuar para ekzekutimit të penalltive.

Ky dëshpërim nuk do t’i pengojë ata që të luftojnë edhe në takimin e fundit, ku në rast fitoreje do të ktheheshin me një medalje në shtëpi.

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate e pranon se dy ditët e fundit kanë qenë të vështira për ta, pasi ishin vetëm 20 minuta larg finales, por insiston se lojtarët e tij janë të motivuar për të mbyllur këtë botëror me fitore.

Në anë tjetre, trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez thotë se futbollistët e tij duan të kthehen në shtëpi me medaljen e bronztë.

Belgjika dhe Anglia ishin në të njëjtin grup këtë botëror, ku fitore shënuan djajtë e kuq, me supergolin e Adnan Januzajt.

Finalja e vogël që do të luhet sot në Shën Petersburg është për krenari, por dhe një mënyrë ngushëllimi pas zhgënjimit të gjysmëfinaleve.