Berisha: Përshëndes rekomandimin e KE pa kushte, por jam zemërthyer

Ish-kryeministri Berisha e përshëndet rekomandimin pa kushte të Komisionit Europian për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, por shprehet se ai vendim e lë zemërthyer. Në një koment në Facebook, Berisha vlerëson se Shqipëria që nga vjet, nuk ka plotësuar asnjërin nga 13 kushtet e caktuara në deklaratën e 27 Qershorit të vitit 2016 të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE.

Berisha shkruan se e ka bindje se hapja e negociatave do ndihmonte në plotësimin e kritereve e kushteve të kërkuara, por hedh poshtë pretendimin se protestat e opozitës dhe vendimi i saj për të djegur mandatet pengojnë apo dëmtojnë hapjen e negociatave me BE.

“Unë jam zemërthyer se në gjendjen aktuale, ku asnjëra nga 13 kushtet e kërkuara nuk janë plotësuar ndaj dhe në bindjen time Këshilli i Ministrave do mbajë të njëjtin qëndrim që mbajti vjet ndaj rekomandimit të Komisionit Europian dhe do rendisë së paku edhe njëherë 13 kushtet e mëparshme për t’u plotësuar nga Shqipëria, në mënyrë që të votohet për hapjen e negociatave, më së afërmi nga fundi i vitit 2020, për të mos thënë edhe më vonë. Por kësaj radhe nuk besoj se do ketë eurokratë apo europarlamentarë që do vijnë të mashtrojnë shqiptarët siç bënë fillim Korrikun e vitit 2018 se negociatat u hapën”, përfundon qëndrimi i ish-kryeministrit me besimin se deri në fund të Qershorit shqiptarët do e kenë flakur Edi Ramën në koshin e plehrave të historisë.