Besart Krivanjeva flet para ndeshjes me Renovën

Xhiroja e 17-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut hapet nesër me ndeshjen që do të luhet në Tetovë ndërmjet Renovës dhe Shkupit. Shkupi në mesjavë barazoi në derbin me Vardarin, ndërsa vazhdon të mbajë pozitën e dytë në renditjen tabelare, por me një diferencë prej katër pikë larg Shkëndijës kryesuese. Për tu mos u larguar nga kreu, Shkupi do të kërkojë me çdo kusht fitoren në Tetovë përballë Renovës. Para kësaj sfide nga tabori i skuadrës nga Çairi ka folur mbrojtësi, Besart Krivanjeva.

Marketing

“Jemi në përmbyllje të sezonit vjeshtor dhe para nesh kemi vetëm edhe dy ndeshje, ndërsa ky ka qenë një sezon shumë i lodhshëm, nga fakti se kemi luajtur nga dy ndeshje në javë. Na presin edhe dy përballje mjaft të vështira, e fillimisht transferta në Tetovë kundër Renovës, ekip ky që sigurisht kërkon pikët e shpëtimit. Në fakt ne jemi të detyruar që të bëjmë më të mirën për të marrë pikët e plota dhe të vazhdojmë garën për kreun e tabelës. Do të jetë ndeshje e vështirë, ku do të vendosin detaje, por shpresojmë që do të kthehemi triumfues”, është shprehur Krivanjeva për faqen zyrtare të klubit.

Renova-Shkupi do të luhet të shtunën në stadiumin e qytetit në Tetovë, duke nisur nga ora 13:00.

Marketing