Besimi: Kursim shumë i madh prej 82.2 milionë euro për shkak të besimit të investitorëve në ekonominë tonë

 Kredibiliteti i investitorëve në ekonominë tonë dhe politikat që zbatohen vazhdojnë të rriten, sipas kësaj ulet norma e interesit me të cilën do të blenin euroobligacione prej nesh. Euroobligacionin e tetë e emetuam me normë interesi bindshëm më të ulët prej 1.625% që është disa herë më e ulët se të gjitha euroobligacionet e emetuara më parë, por njëkohësisht është më e ulët se normat e interesit në të cilat vendet e tjera të rajonit kanë emetuar kohët e fundit euroobligacione.

Marketing

Nëse bëhet një krahasim me euroobligacionin e vitit 2014, i cili duhet të rifinancohet me këtë, kursimet e interesit janë 82.25 milionë euro, tha ministri i Financave Fatmir Besimi në konferencën e sotme për shtyp, me rastin e emetimit të euroobligacionit të tetë.

Në ankandin e ditës së djeshme, patëm për 2.3 herë kërkesë më të lartë nga ana e investitorëve ndërkombëtarë. Resprektivisht, nëse oferta për euroobligacionin e tetë ishte 700 milionë euro, kërkesa ishte 1.6 miliardë euro nga ana e mbi 130 investitorëve ndërkombëtarë. Ajo që është në mënyrë të veçantë inkurajuese në tregun ndërkombëtar të kapitalit është fakti që vetëm për 9 muaj ka përmirësim të dukshëm të prespektivave për ekonominë tonë dhe potencialin e saj tek investitorët ndërkombëtar. Ashtu që, norma e interesit e euroobligacionit të shtatë që u emetua në fillim të krizës së koronës në qershor të vitit 2020, shënonte 3.625%. Tani, norma e interesit është 1.625% ose për 2.05 pikë përqindje më pak. Në këtë periudhë u miratua dhe filloi të zbatohet pakoja e tretë, e katërt dhe e pestë e masave antikrizë, të cilat bashkë me politikat tjera japin siguri për ekonominë tonë tek investitorët. Prandaj, çmimi i kapitalit të cilin na japin si hua, ka normë interesi më të ulët, i cili përafërisht ka çmim të njejtë me letrat me vlerë të vendit me afat të ngjashëm.  Në krahasim me euroobligacionet e tjera të emetuara gjatë kohës së krizës botërore ekonomike, përkatësisht euroobligacionit të emetuar në vitin 2009 me normë interesi prej 9.875%, dallimi është shumë më i theksuar – tha ministri i Financave.

Ai theksoi se, nëse bëjmë krahasim me ekonomitë e tjera nga rajoni dhe më gjerë që kanë emetuar euroobligacione gjatë muajve të fundit, ekonomia jonë ka besim më të madh tek investitorët, gjegjësisht normë interesi më të ulët.

Javën e kaluar Kroacia emetoi dy euroobligacione me nga një miliardë euro, prej të cilave njëri me normë interesi prej 1.75% ndërsa tjetri prej 1.125%. Më tutje, javën e kaluar edhe Serbia doli në tregun ndërkombëtar të kapitalit me euroobligacion prej një miliardë euro dhe arriti normë interesi prej 1.65%. Euroobligacionet të cilat i emetoi Turqia nga mesi i muajit janar të këtij viti prej nga 1.75 miliardë euro, ishin me normë interesi prej 4.75% dhe 5.875%. Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, Ukraina emetoi euroobligacion prej 600 milionë euro me interes prej 7.253%. Mali i Zi në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar emetoi euroobligacion në vlerë prej 750 milionë euro me interes prej 7.253%. Më tutje, Rumania në fund të muajit nëntor lëshoi dy euroobligacione në vlerë prej një miliardë e gjysëm euro me normë interesi prej 2.625% dhe një miliardë euro me normë interesi prej 1.375%. Turqia gjithashtu, në nëntor të vitit të kaluar emtoi euroobligacion në vlerë prej 2.3 miliardë euro me normë interesi prej 5.95% dhe Serbia prej 2 miliardë euro me normë interesi prej 2.125% – tha Besimi.

Ministri theksoi se edhe pse vlera e euroobligacionit të tetë është 700 milionë euro, tërheqja neto në bazë të këtij euroobligacioni është 200 milionë euro. Resprektivisht, me mjetet e euroobligacionit të tetë do të rifinancohet euroobligacioni i emetuar në vitin 2014 në vlerë prej 500 milionë euro. Euroobligacioni i viti 2014 është emetuar me normë interesi prej 3.975% me afat prej 7 vitesh ose për 2.35 pikë përqindje më shumë në raport me euroobligacionin e emetuar tani që do të se në bazë të interesit do të kursehen pothuajse 82.25 milionë euro.

-Kur miratohej buxheti për vitin 2021 u theksua se përveç deficitit buxhetor prej 568.1 milionë euro, që i detyrohet kryesisht nevojave lidhur me krizën e covid-it, duhet të shlyhet borxhi i jashtëm në vlerë të përgjithshme prej 605.6 milionë euro – ku hyn edhe euroobligacioni i vitit 2014 dhe shlyerja e borxhit të brendshëm prej 99.5 milionë euro në bazë të letrave shtetërore me vlerë të emetuara më herët dhe obligacioneve strukturore.

Pjesa tjetër e mjeteve do të sigurohen përmes emetimit të letrave shtretërore me vlerë në tregun e brendshëm, kredive të favorshme zhvillimore nga organizatat ndërkombëtare dhe shfrytëzimin e depozitave që i lamë si rezerva (baferë) në vitin 2020 – tha Besimi.

Bashkë me detyrimet e ndërmarra dhe shlyerjen e detyrimeve që maturojnë, projeksionet e ministrisë së Financave tregojnë se borxhi shtetëror në fund të vitit do të shënojë 53.2%, ndërsa borxhi publik 63.4%.

Marketing