Katër pakot e masave antikrizë e zvogëluan rënien e aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2020 për rreth 2 pikë përqindje. Efektet e masave të zbatuara deri tani vërehen edhe përmes shkallës së papunësisë e cila në tremujorin e tretë të vitit të kaluar u zvogëlua, si dhe paga mesatare e cila vitin e kaluar rritej në vazhdimësi, tha në intervistë për “Kapital” ministri i Financave Fatmir Besimi.

-Mbështetja ndaj popullatës dhe firmave rezultoi me zbutjen e pasojave negative të pandemisë ndaj të ardhurave dhe konsumit të amvisërive dhe aktivitetin e subjekteve afariste. Prandaj, vlerësohet se përmes realizimit të këtyre masave, rënia e aktivitetit ekonomik është zbutur, përkatësisht rënia e aktivitetit ekonomik do të ishte më e thellë për rreth 2 pikë përqindje në vitin 2020. Shkalla e papunësisë, pas rritjes në tremujorin e dytë, në tremujorin e tretë shënon ulje të caktuar me ç’rast shkalla mesatare e papunësisë në nëntë muajt e parë shënon 16.5%, që paraqet zvogëlim për 1 pikë përqindje në krahasim me periudhën e njëjtë në vitin paraprak. Kjo në mënyrë të pakontestueshme dëshmon se janë ruajtur shumë vende të punës. Pagat mesatare bruto dhe neto, vazhduan të rriten në vazhdimësi gjatë tërë vitit – tha Besimi.

Lidhur me lartësinë e stimulit fiskal të krahasuar me vendet e tjera nga rajoni, Besimi thekson se tek ne është bërë balancë e mirë ndërmjet pakove stimuluese dhe mbajtjen e borxhit në një nivel, që në afat të mesëm do të stabilizohet dhe nuk do të jetë kërcënim ose pengesë për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe stabilitetin makrofinanciar.

-Vlera e projektuar e katër pakove paraprake është rreth një miliardë euro ose rreth 10% të BPV-së. Çdo vend ka ndërmarrë masa sipas hapësirës fiskale në dispozicion. Sipas të dhënave të FMN-së, stimuli fiskal në vendet e rajonit lëviz prej 2.4% të BPV-së në Bullgari, 2.8% në Shqipëri, 3% në Bosnjë dhe Hercegovinë, 3.7% në Mal të Zi, 4.1% në Kosovë, 7% në Kroaci, vendi ynë me rreth 10%, Serbia me nivel të njëjtë me 11.3% dhe Sllovenia dhe Greqia me rreth 14% të BPV-së. Me atë që në Slloveni dhe Greqi, ka një rritje të ndjeshme të borxhit shtetëror që nga fillimi i krizës me 13 pikë përqindje, përkatësisht me 19.4 pikë përqindje, ashtu që borxhi shtetëror i Sllovenisë në fund të tremujorit të tretë arrin në 78.5% të BPV-së, ndërsa Greqia 199.9% të BPV-së. Në vendet e tjera të rajonit varion nga 90.8% Mali i Zi, 56.8% Serbia, Republika e Maqedonisë së Veriut 51%, Bosnja dhe Hercegovina 38.9% dhe Kosova 22.1%, sipas të dhënave të Agjencisë evropiane për statistikë të Eurostat-it.

Duke përfshirë vitin e kaluar, nga Programi i qeverisë për Covid – 19 janë paguar 292 milionë euro ose mbi 95% nga mjetet e buxhetuara në bazë të mbështetjes financiare për pagesën e pagave, mbështetjes financiare për kategoritë e ndjeshme të qytetarëve, masat për mbështetjen e firmave, mbështetje financiare të qytetarëve të cilët i kanë humbur vendet e punës si rezultat i krizës etj., theksoi Besimi. Përmes Bankës Zhvillimore janë aprovuar mbi 85 milionë euro në bazë të kredive pa interes dhe kredive të lira. Ai thekson se duhet të merret parasysh se stimuli fiskal i përgjithshëm i përfshin jo vetëm shpenzimet e drejtpërdrejta buxhetore por edhe lehtësimet dhe lirimet tatimore, garancionet në dispozicion etj. Kështu për shembull skema e garancisë shtetërore gjashtëfish i multiplikon mjetet e parapara në fond gjegjësisht me këto mjete do të garantohet një shumë, gjashtë herë më e lartë e kredive për kompanitë.