Besimi: Shërbime më të mira për qytetarët, llogaridhënie dhe më tepër financa për zhvillimin e komunаve përmes avancimit të decentralizimit fiskal

Vazhdimi i procesit të decentralizimit fiskal do të mundësojë shërbime më të mira për qytetarët, por edhe llogaridhënie më të madhe lidhur me atë se si komunat i shpenzojnë mjetet e qytetarëve. Do të rriten mjetet që komunat i marrin përmes bllok dotacioneve por edhe përmes mënyrave të tjera, gjithashtu do të rritet edhe disiplina financiare në drejtim të uljes së borxheve dhe menaxhimit në mënyrë ekonomike, bëri të ditur ministri i Financave Fatmir Besimi i ftuar në emisionin Magazina ekonomike në televizionin Alsat.

Marketing

Ministri njëherit informoi për aktivitetet dhe masat që do të ndërmerren e që duhet të çojnë në përmirësimin e kapacitetit fiskal dhe rritjen e të hyrave të komunave, disiplinën fiskale dhe transparencën si dhe llogaridhënien e komunave.

“Përmirësimi i kapacitetit fiskal dhe rritja e të ardhurave të komunave do të zbatohet përmes disa aktiviteteve që parashikojnë rritjen e mjeteve të shpërndara për komunat nga detyrimet e arkëtuara në buxhetin qendror, rritjen e të hyrave vetanake të komunave dhe formimin e fondeve që do të përkrahin performancën e mirë. Në këtë drejtim, do të diskutohet për rishikimin e metodologjisë lidhur me shpërndarjen e mjeteve të tatimeve dhe dotacioneve për komunat”, tha ai.

Domethënë, siç informon ministri Besimi, planifikohet rritje në mënyrë graduale e përqindjes që komunat marrin nga të hyrat e tatimit mbi të ardhurat personale, të arkëtuar nga personat fizikë të regjistruar me vendbanim të përhershëm dhe vendqëndrim në komunë. Gjithashtu, gradualisht do të rritet edhe norma e dotacionit nga TVSH-ja e arkëtuar, sipas performancës së komunave. Në këtë drejtim, planifikohet formimi i “Fondit të performancës” dhe “Fondit të barazimit”.

Komunat që tregojnë rezultate pozitive dhe kanë realizim më të lartë të të hyrave vetanake do të marrin mjete nga “Fondi i performancës”, ndërsa nga “Fondi i barazimit” do të sigurohen mjete për komunat që kanë të hyra më të ulëta, por që kanë treguar përpjekje fiskale dhe rezultate të mira në grumbullimin e të hyrave vetanake”, tha ai dhe shtoi se zbatimi i “Fondit të performancës” duhet të kalojë përmes një procesi të kujdesshëm të tranzicionit me përkrahjen e institucioneve qendrore për përforcimin e institucioneve lokale fiskale në komuna që ngecin ndjeshëm në këtë aspekt, por jo gjithmonë me fajin e tyre .

Gjithashtu, do të veprohet edhe në rritjen e të hyrave vetanake të komunave përmes përmirësimit të efikasitetit të administratës dhe sigurimit të të hyrave të reja lokale sipas praktikave më të mira të BE-së për cilësinë e shërbimeve dhe përmirësimin e kritereve për shpërndarjen e mjeteve të ndara për kompetencat e bartura në sferën e arsimit fillor dhe të mesëm, kulturës, mbrojtjes së fëmijëve dhe mbrojtjes së të moshuarve si dhe mbrojtjes nga zjarri.

Në drejtim të rritjes së disiplinës financiare të komunave, zvogëlimit të borxheve dhe menaxhimit në mënyrë ekonomike, parashihen aktivitete në drejtim të masave për planifikim real të të hyrave dhe shpenzimeve të komunave, racionalizim të punës dhe ulje të shpenzimeve të panevojshme, servisim të rregullt të borxhit, disiplinë më të madhe financiare, procedurë për shpalljen e paqëndrueshmërisë financiare dhe analizë të detyrimeve ekzistuese të komunave dhe ndërmarrjeve publike.

Si një nga masat për uljen e borxheve të komunave ndaj sektorit privat, siç deklaron ministri, planifikohet që komunat të mund të emetojnë letra me vlerë.

Besimi theksoi se do të rritet edhe kontrolli nga ana e vendit, veçanërisht nga Inspektimi financiar lidhur me Ligjin për raportim dhe evidencë të detyrimeve dhe raportime lidhur me mosrespektimin e Ligjit për disiplinë financiare, do të merren masa për rritjen e transparencës së komunave përmes publikimit të raporteve financiare në mënyrë transparente dhe të qartë dhe do të veprohet drejt llogaridhënies më të madhe për shfrytëzimin e mjeteve buxhetore.

Në koordinim me Grupin e punës lidhur me vazhdimin e procesit të decentralizimit, të formuar nga Qeveria, në të cilin marrin pjesë Ministria e Sistemit Politik, Ministria e Financave dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe BNJVL-ja, së shpejti do të fillojë procesi i konsultimeve publike dhe diskutimeve lidhur me procesin e avancimit të decentralizimit fiskal.