Besimi: Të hyrat deri në muajin qershor më të larta për mbi 14%, mjetet do të destinohen drejt masave dhe investimeve në ekonomi

Realisht, me arkëtimin e mirë të detyrimeve në buxhet nga fillimi i vitit u mundësua ndarja e mjeteve shtesë për masa lidhur me përkrahjen e ekonomisë dhe për investime kapitale. Nga fillimi i vitit deri në datë 21 qershor, të hyrat e përgjithshme janë më të larta për 14.5% në raport me vitin e kaluar, që është si rezultat i arkëtimit të mirë të tatimeve dhe kontributeve, theksoi ministri i Financave Fatmir Besimi në panelin “Rimëkëmbja ekonomike e Republikës së Maqedonisë së Veriut” në Forumin ekonomik në Shkup.

Marketing

-Sipas të dhënave më të reja që i kemi në dispozicion për arkëtimin e detyrimeve në buxhet, gjegjësisht nga fillimi i vitit deri në datë 21 qershor, të hyrat e përgjithshme janë më të larta për 14.5%, me ç’rast të hyrat tatimore janë më të larta për 19.3%, ndërsa kontributet për 5.8%. Edhe pse baza krahasuese vitin e kaluar përfshin edhe disa muaj ku realizimi i të hyrave ishte nën efekt të fuqishëm nga kriza e Covid-19, arkëtim të mirë të detyrimeve në buxhet kishte edhe deri në mesin e muajit mars – gjegjësisht periudhën kur nuk kishte krizë. Buxheti është në kondicion të mirë. Shpenzimet kryhen rregullisht dhe në kohë, kurse disa detyrime paguhen edhe para kohe, në drejtim të mbrojtjes së kategorive të caktuara të qytetarëve, siç është rasti me pagesën e parakohshme të pensioneve – tha Besimi.

Ministri i Financave theksoi se ribalanci i buxhetit, përkatësisht arkëtimi më i mirë i detyrimeve në arkën shtetërore do të orientohet kah nevojat për implementimin e masave për ballafaqim me krizën, subvencione, si dhe në drejtim të rritjes së investimeve kapitale.

-Shpenzimet kapitale planifikohen në nivel prej 30.5 miliardë denarë ose për 6.5 miliardë denarë më shumë në raport me planin për vitin 2021. Me këto ndryshime dhe plotësime në Buxhet për vitin 2021 realizohet ridizajnimi i shpenzimeve me pjesëmarrje më të madhe të shpenzimeve kapitale në shpenzimet e përgjithshme, gjegjësisht planifikimet iniciale 9.4% rriten në 11.3% që është nivel më i lartë nga mesatarja e dhjetë viteve të fundit (9.5%). Rritja i detyrohet sigurimit të mjeteve për kreditë me normë të interesit prej 0% përmes Bankës Zhvillimore për sektorët më të goditura nga sfera e turizmit, zejtarisë, hotelierisë, transportit, industrisë për organizim të ngjarjeve, institucioneve shëndetësore private, më tej për skemën garantuese greditore dhe formimin e Fondit për hulumtim dhe zhvillim. Gjithashtu u siguruan mjete shtesë tek shfrytëzuesit buxhetorë për rikonstruimin e institucioneve publike shëndetësore, investimeve kapitale në sferën e mbrojtjes së fëmijëve dhe mbrojtjes sociale, në infrastrukturën rrugore, mjete shtesë për banesa sociale dhe rritje e vlerës së mjeteve për zhvillim rural – tha Besimi.

Ministri i Financave theksoi se pas rimëkëmjes së ekonomisë do të zbatohen politika për decentralizim gradual fiskal në drejtim të mbajtjes së borxhit në nivel stabil. Besimi theksoi se decentralizimi do të realizohet përmes përmirësimit të arkëtimit të të hyrave buxhetore (përmes përforcimit të kapaciteteve dhe përmirësimin e shërbimeve të DAP-it dhe Doganës përmes masave për zvogëlimin e ekonomisë joformale dhe masave për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit etj.), zvogëlimit dhe ristrukturimit të shpenzimeve buxhetore (përmes shkurtimit të harxhimeve joprioritare dhe jothelbësore, zvogëlimit të shpenzimeve rrjedhëse, përkrahjes më të lartë të sektorit privat, inovacioneve dhe përforcimit të konkurrencës, konponentit të theksuar social dhe rishikimit të metodologjive për transfere dhe subvencione etj.) dhe ndryshimeve lidhur me burimet për financim të deficitit buxhetor (Plani për financim të rimëkëmbjes dhe rritjes së ekonomisë).

Ministri Besimi theksoi se përmes Planit për financim të rimëkëmbjes dhe përshpejtimit të rritjes ekonomike do të bëhet përpjekje që të rriten investimet e përgjithshme në ekonomi dhe njëherit të mbetet kursi i projektuar për zvogëlimin e deficitit fiskal në afat të mesëm kohor. Gjithashtu, përmes përshpejtimit të rritjes ekonomike në afat të mesëm kohor, do të veprohet në drejtim të stabilizimit të borxhit përshkak të rritjes së hapësirës fiskale për servisimin e tij.

Marketing