Besimtarët e vendeve të rajonit falin namazin e Natës së Kadrit

Besimtarët muslimanë në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë sonte kanë falur namazin e Natës së Kadrit, e cila është një nga netët më të rëndësishme të kalendarit islam dhe sipas mësimeve islame konsiderohet më e vlefshme se një mijë muaj, raporton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Në Shkup, ndër xhamitë e mbushura me besimtarë muslimanë që bashkërisht të falin namazin e teravisë dhe atë të Natës së Kadrit, ishte edhe xhamia e Mustafa Pashës.

Para faljes së namazit, besimtarët patën mundësi të lexojnë Kur’an si dhe të ndjekin ligjëratë për vlerat dhe rëndësinë e kësaj nate të madhe.

Besimtarët muslimanë në Shqipëri kanë falur namazin e Natës së Kadrit, duke u mbledhur së bashku nëpër xhamitë e kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranë.

Në Xhaminë e Tabakëve në Tiranë, besimtarët janë mbledhur për të falur namazin e Natës së Kadrit, ndërkohë që patën mundësi të lexonin edhe Kur’an-in.

Ndërkohë, edhe në xhamitë në qytetet e tjera të Shqipërisë besimtarët kanë falur namazin e Natës së Kadrit, duke uruar edhe njëri-tjetrin.

Me numër më të madh prezentë se netëve të kaluara të Ramazanit, besimtarët muslimanë kanë falur namazin e Natës së Kadrit nëpër xhamitë e Kosovës.

Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, qindra besimtarë kanë falur namazin në Xhaminë e Madhe, brenda dhe në hapësirat e jashtme të xhamisë.

Namazi në pritjen e Natës së Kadrit ishte me lexim të sureve të Kur’anit më të gjata se zakonisht. Megjithatë, besimtarëve nuk u mundësohet të rrinë më vonë se në orën 22:30 në xhami, për shkak të fillimit të orës policore, si masë preventive e vënë nga Qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19).

Natën e Kadrit apo natën e përcaktimit të fatit e bën posaçërisht të rëndësishëm fakti se në të ka filluar shpallja e Kuranit në të cilën është përshkruar vlera e saj e vërtetë. Kjo natë është quajtur kështu pasi besohet se këtë natë përcaktohen dhe shkruhen fatet e të gjitha krijesave të Zotit të Madhërishëm për vitin që vjen.

Kjo natë është në dhjetë ditët e fundit të muajit të Ramazanit, muaji më i rëndësishëm i kalendarit islam i cili është në përfundim. Sikurse në të gjitha vendet e botës, edhe në vendet e rajonit pjesa dërmuese e besimtarëve këtë natë e kalojnë në lutje dhe adhurim, lexim të Kur’an-it si dhe qëndrim në xhami.

Në vende të ndryshme kjo natë shënohet me programe dhe aktivitete të ndryshme.

Marketing